Bota

Rusia vazhdon bombardimet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës!

Rusia vazhdon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Në rajonin jugor Mikolaiv, dronët rusë goditën një termocentral dhe dëmtuan një hotel. Po ashtu, pamjet e publikuara nga shërbimet emergjente në Telegram shfaqin gërmadha e dëme në një kënd lojërash për fëmijë. Nuk raportohen viktima.

Edhe dje u raportua se të paktën katër termocentrale u dëmtuan pasi Rusia sërish synoi Ukrainën me një raund sulmesh masive ajrore. Nga 32 raketa të lëshuara nga ajri, Deti i Zi dhe toka, 21 u kapën, njoftuan Forcat Ajrore të Ukrainës.

Dy termocentrale u goditën në rajonin juglindor të Dnipropetrovsk, në qendër industriale të vendit.
Sulme u raportuan edhe nga rajonet perëndimore Lviv e Ivano-Frankivsk. Ministria e Energjisë e Ukrainës tha se një fabrikë bitumi dhe një aeroport ushtarak në anën ruse u goditën gjithashtu. P

or, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar mbi këtë informacion. Lufta ruse në Ukrainë vijon e ashpër prej më shumë se dy vitesh tashmë. Në Kremlin e quajnë “operacion special ushtarak” e nuk pajtohen me fjalën “luftë”. Mijëra ukrainas janë vrarë e miliona u detyruan të zhvendosen.

Presidenti Zelensky, dje iu lut sërish aleatëve të Kievit për kundërajrorë e për furnizim të shpejtë me armë. Zelensky tha se vendi ka nevojë për sasi të mjaftueshme të kundërajrorëve e të armëve të tjera për mbrojtjen e qyteteve të veta e për të triumfuar kundër pushtuesit rus.

Terrori duhet të humbë gjithmonë dhe kushdo që na ndihmon t’i bëjmë ballë terrorit rus, është mbrojtës i vërtetë i jetës!

“Situata në linjat e frontit ukrainas është e vështirë, me një tendencë drejt përkeqësimit”. Alarmin e dha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Ukrainase, Olexander Syrskyi, i cili me të tjerë zyrtarë, përditësoi Grupin e Kontaktit të Ukrainës të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një mbledhje online, ushtaraku i lartë u ndal te kushtet e vështira në front ndërsa Ukraina përpiqet të zmbrapsë një pushtim rus më shumë se dyvjeçar.

Po ashtu, Syrskyi raportoi për numrin e madh të sulmeve ajrore ruse kundër infrastrukturës energjetike të vendit dhe i bëri jehonë deklaratave të presidentit Volodymyr Zelensky për shpejtim të ndihmave ushtarake nga Perëndimi.