Bota

95 ditë luftë në Ukrainë, rusët pretendojnë se kontrollojnë Severodonjeckun!

Dita e 95-të e luftës në Ukrainë dhe në lindje të vendit, forcat ushtarake ukrainase bëjnë të ditur se janë në pozicion të vështirë në Severodonjeck, qytet që mbahet i rrethuar e bombardohet në mënyrë të vazhdueshme nga pushtuesit rusë në Lugansk. Më herët, lideri çeçen Ramzan Kadyrov, aleat i Putinit, tha se “Kanë kontrollin e plotë të Severodonjeckut”.

Qyteti u çlirua!

Po në lindje të Ukrainës, për sot raportohen shpërthime të fuqishme në Kharkiv dhe për këtë arsye, në qytet ranë sirenat e alarmit.
Ndërkohë, në Mariupol denoncohen të tjera mizori nga rusët. Një supermarket është shndërruar në vendin ku hedhin trupat e pajetë të ukrainasve, sikur të ishin thasë mbeturinash. Moska nuk ka reaguar për këto akuza.

Bombat ruse nuk ndalen as në rajonin Sumy, në verilindje të Ukrainës, pranë kufirit me Rusinë. Në një tjetër zhvillim, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan njoftoi se nesër synon të telefonojë homologët Putin e Zelensky.

Shefi i Kremlinit ka patur biseda telefonike me presidentin francez, Macron dhe kancelarin gjerman, Scholz, të cilëve iu konfirmoi gatishmërinë për të rinisur negociatat me Kievin, me qëllim gjetjen e zgjidhjes, por i bëri thirrje Perëndimit, t’i japë fund armatosjes së Kievit.
Por, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se shpreson që aleatët do të ofrojnë armët e duhura. Në adresimin më të fundit drejtuar kombit, Zelensky deklaroi vetëm se pret “lajme të mira” sa i përket dërgesave me armë gjatë kësaj jave dhe nuk dha më shumë detaje.

Në mbi tre muaj luftë, ushtria e Ukrainës raporton se “forcat ruse kanë humbur rreth 30 mijë ushtarë” prej datës 24 shkurt. Në një deklaratë, Shtabi i Përgjithshëm, njofton se “vetëm në 24 orët e fundit, u vranë 250 rusë”. Gjithashtu, janë shkatërruar 207 avionë, 174 helikopterë, 1 mijë e 330 tanke, 3 mijë e 258 automjete të blinduara, si dhe mbi 900 sisteme artilerie, raketahedhëse e të mbrojtjes ajrore.