Health & Beauty

Çfarë është dhe si ta trajtoni…/Gjithçka rreth dermatitit seborrheik!

Dermatiti seborrheik është një sëmundje e lëkurës që prek kryesisht zonat e pasura me gjëndra dhjamore, si skalpi, fytyra, etj. Dermatiti seborrheik shkakton kruajtje, djegie, zbokth dhe skuqje të lëkurës. Shkaqet e sakta nuk janë plotësisht të qarta, por mendohet se inflamacioni i lëkurës lidhet me faktorë gjenetikë, rritjen shumë të shpejtë të qelizave të lëkurës dhe aktivitetin e tepërt të gjëndrave dhjamore.

Zonat më të prekura janë vija e flokëve, vetullat, pjesa e sipërme e kraharorit dhe palosjet nasolabiale. Për adoleshentët dhe të rriturit, trajtimet kryesore për dermatitin seborrheik përfshijnë shampo specifike për lëkurën e kokës, kremra dhe locione me përbërës aktivë specifikë për t’u aplikuar në zonat e prekura, antimykotikë për të reduktuar kruajtjen dhe infeksionin fungal.

Dermatiti seborrheik është një gjendje kronike që nuk mund të zhduket përgjithmonë, por me kujdesin e duhur mund të menaxhohet në mënyrë efektive. Është e rëndësishme që gjithmonë të konsultoheni me dermatologun tuaj për një diagnozë të saktë. Nëse doni të shpëtoni nga zbokthi duhet të provoni këtë maskë. Është e thjeshtë, por shumë e efektshme. Xhenxhefili përmban gingerolë, e cila ka veprim kundërinflamator, analgjetik, antikancerogjen dhe antipiretik.

Ky është çelësi përse xhenxhefili ka veprim aq të fuqishëm preventiv, te proceset e ndryshme inflamatore. Nevojiten një rrënjë mesatare xhenxhefili, një lugë supe vaj ulliri. Përzijeni një lugë xhenxhefili të bluar në rende dhe një lugë vaj ulliri. Vendoseni në flokë të lagura dhe dhjetë minuta bëjini masazh rrënjëve të flokëve dhe majës së kokës. Pastaj lëreni maskën të veprojë edhe afro dhjetë minuta dhe në fund shpëlajeni me ujë të vakët.

Ndërkaq, vaji i ullirit është i njohur për vetitë e tij hidratuese dhe ushqyese, e për dekada është përdorur si aleati kryesor në shëndetin e flokëve. Sipas studimeve ai është përdorur kryesisht për eliminimin e zbokthit dhe disa prej problematikave pasuese me të, si irritimi i lëkurës apo kruajtjet. Falë vetive të tij anti-inflamatore dhe zbutëse, vaji i ullirit është vlerësuar si një ilaç natyral në luftën kundër zbokthit.