Aktualitet

Aksident me vdekje në Has, automjeti i viktimës nuk duhej të ishte në qarkullim!

Humbi kontrollin e kamionit që drejtonte, gjen vdekjen në aksident një 35-vjeçar në Has. Ngjarja e rëndë, më e fundit që përgjak rrugët shqiptare ndodhi paraditen e sotme kur shtetasi Sabah Jupa u hodh nga makina për t’i shpëtuar përplasjes, por fatkeqësisht ndërroi jetë duke mos i mbijetuar dëmtimeve të shumta. Dyshohet se viktima humbi kontrollin, për shkak të mosfunksionimit të sistemit të frenimit. Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Blendi Gonxhe reagoi pas aksidentit në Has e bëri të ditur se makina rezultonte e çregjistruar dhe se ky mjet nuk duhej të ishte në qarkullim, pasi nuk ka as targa, as kolaudim dhe as siguracion.

Përsëri një fatalitet nga një aksident rrugor. Keqardhje e ngushëllime familjes për këtë fatkeqësi! Ndërkaq lajmi flet për një kamion pa frena, ndaj DPSHTRR verifikoi menjëherë rastin me shqetësimin e statusit të kontrollit teknik. Siç vërtetohet edhe nga fotot, mjeti rezulton i çrregjistruar, dokumentacioni dhe targat janë depozituar konform procedurave në rajonalen përkatëse. Krahas dhimbjes për lajmin, i bëjmë thirrje përdoruesve të mjeteve të shmangin shkelje të tilla me rrezik për jetën e drejtuesit të mjetit e të tretëve në trafik, si edhe nxisim organet e kontrollit rrugor për masa drastike ndaj rasteve kaq flagrante.

Ndërkohë, ky i Hasit është aksidenti më i fundit rrugor pas atij të një dite më parë në Tiranë ku një çift bashkëshortësh, Vilma dhe Arjan Konomi u përplasën nga një makinë në rrugën e Kavajës, pranë pallateve Delijorgji. Prindër të një fëmije vetëm 3 muajsh, ata kalonin rrugën te vizat e bardha e duke respektuar semaforin. Foshnja në karrocë shpëtoi pa dëmtime, ndërsa raportohet se mjekja pediatre e zyrtari i Ministrisë së Arsimit u përmendën dhe fatmirësisht janë jashtë rreziku për jetën e nën kujdesin e mjekëve, në Spitalin e Traumës në kryeqytet.