Aktualitet

Aksident në autostradën Durrës-Tiranë, shembet mbikalimi i këmbësorëve!

Shembet mbikalimi i këmbësorëve në autostradën Durrës-Tiranë. Shkak u bë përplasja e një kamioni, drejtuesi i të cilit humbi kontrollin, si edhe amortizimi i strukturës metalike që në zonën e Sukthit ngrihej mbi autostradën.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa mbeti i plagosur drejtuesi i automjetit, që u dërgua në spital por fatmirësisht jo në gjendje shëndetësore kritike. Nuk pati dëme për të tjera makina që lëviznin në ato momente.

Shërbimet e Policisë, devijuan lëvizjen deri në pastrimin e plotë të rrugës, duke zhvendosur strukturën dhe nuk është shënuar asnjë problem për qarkullimin, që vijon pa probleme. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Durrës/Informacion paraprak i Policisë:

Në orët e para të mëngjesit në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur Sukth, shtetasi M.N, duke drejtuar një kamion ka humbur kontrollin mbi drejtimin e kamionit dhe për pasojë kamioni dhe është përplasur me mbikalimin e këmbësorëve.

Si pasojë e përplasjes është dëmtuar pasagjeri shtetasi H.D, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Nga përplasja e kamionit me mbikalimin e këmbësorëve është shembur mbikalimi i këmbësorëve, pa shkaktuar dëme në automjete të tjera.

Shërbimet e Policisë, devijuan lëvizjen deri në pastrimin e plotë të rrugës. Aktualisht qarkullimi i automjeteve në autostradën Durrës-Tiranë-Durrës, vijon pa probleme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.