Aktualitet

Aksident në Qafë Thanë-Prrenjas, arrestohet serbi që përplasi për vdekje një shtetase gjermane!

Blutë e Qarkut Elbasan arrestuan një shtetas serb, i akuzuar se aksidentoi për vdekje një gjermane në aksin Qafë Thanë-Përrenjas. Një natë më parë, gruaja 56-vjeçe lëvizte me automjetin që drejtonte, e shoqëruar nga një person që udhëtonte si pasagjer. Makina e saj u godit nga kamioni me shofer 50-vjeçarin nga Serbia, i cili u prangos. I lënduar mbeti dhe personi që udhëtonte me viktimën.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme, ndërsa viktima U.S., 56-vjeçe ishte duke drejtuar automjetin e shoqëruar nga një person, në momentin kur u godit nga kamioni me shofer shtetasin serb. Si pasojë e këtij aksidenti, ka mbetur i dëmtuar edhe pasagjeri në këtë automjet, shtetasi P. K.

Po ashtu, specialistët në Komisariatin e Policisë Elbasan kanë arrestuar shtetasin Sh. M., 68 vjeç. Dyshohet se gjatë kohës që po kryente punime ndërtimi pa leje në banesë, për shkak të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, ka rënë nga lartësia punëtori që po kryente këto punime, shtetasi M. P., 40 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve.

I arrestuar nga blutë e Elbasanit është edhe një 27-vjeçar, të cilit i jepen iniciale R.H., si dhe është shpallur në kërkim shtetasi K.K., 25 vjeç. Dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë tentuar të vjedhin në një servis automjetesh.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, vijojnë hetimet për arrestimin e 25-vjeçarit me inicialet K.K.