Bota

Aksident teknologjik në një fabrikë tretësish kimikë në Itali!

Aksident teknologjik në një fabrikë tretësish kimikë në Itali. Në vendin fqinj, autoritetet lëshuan alarmin sidomos për Novaran e zonën përreth pas rënies së një zjarri në mjediset e kompanisë kimike “Kemi”, aty ku përpunohen tretës kimikë, në zonën industriale San Pietro Mosezzo.

Përveç Brigadës së Zjarrfikëses, në vendngjarje kanë ndërhyrë edhe dy ekipe të Arpa-s, një nga Vercelli e një nga Novara, të cilët po bëjnë vlerësimin e ndikimeve në ujë e në ajër. Për të qetësuar qytetarët, kryebashkiaku i Novaras, Alessandro Canelli reagoi me një postim në Facebook ku informon se zjarri u shua plotësisht dhe se nuk pati të lënduar mes punëtorëve që u evakuuan në kohë. Ndikimin mjedisor në qytet nuk e quan alarmant. Canelli shkruan:

Zjarri u shua plotësisht falë ndërhyrjes së zjarrfikësve, mbështetjes së Forcave Ajrore dhe rastësisë fatlume që pranë kompanisë kimike që u dogj është një firmë e cila prodhon shkumë për shuarjen e zjarreve. Kjo bëri të mundur përshpejtimin e jashtëzakonshëm të operacioneve të lokalizimit e shuarjes së flakëve.

Pas një alarmi fillestar për nivelin e toksicitetit të mundshëm të resë së krijuar nga flakët, kryebashkiaku qetësoi edhe më shumë qytetarët:

Të dhënat e Arpa-s të mbledhura menjëherë në vendin e ngjarjes dhe që më janë komunikuar pak minuta më parë, dhanë rezultate qetësuese. Po ashtu, konstatimet mbi pjesën veriore të Novarës kanë ofruar këto rezultate ngushëlluese: nuk ka vlera alarmante apo shqetësuese. Pikat e rënies së resë kimike, e cila u tret, nuk kanë krijuar probleme e gjithçka duket pozitive.

Por, kryebashkiaku i Novaras ka një apel:

Ftesa mbetet mbyllja e dritareve në shtëpi dhe gjithashtu në vendet e punës, por nuk ka asnjë rrezik për shëndetin e qytetarëve. Mirë është që për sot të shmangni sportin jashtë, ndoshta është më mirë, por situata nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin e njerëzve.