Aktualitet

AKU: 102 masa paralajmërimi për mangësi në sigurinë ushqimore!

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, AKU, njofton se gjatë javës 13-19 nëntor ka kryer në shkallë vendi 2 mijë  e 99 inspektime në subjekte të ndryshme tregtare ushqimore, në kuadër të planit të masave për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.

Sipas AKU-së, 1 mijë e 441 inspektime janë kryer në pikat e kalimit kufitar, nga ku janë marrë dhe 199 mostra për analiza laboratorike.

Nga kontrollet e kryera, janë asgjësuar 92 mijë e 183 kg produkte që kanë rezultuar jashtë standardeve për konsum, si edhe u bllokuan 32.5 litra produkte të tjera, për mungesë dokumentacioni.

Për shkeljet e konstatuara, AKU-ja ka vendosur shtatë masa administrative gjobë në vlerën 1 milion e 100 mijë  lekë, si dhe ka dhënë 102 masa administrative paralajmërime për mangësitë e evidentuara.

AKU-ja i bën apel subjekteve që të respektojnë standardet dhe rregullat e sigurisë ushqimore, teksa njofton se vijon intensifikimi i kontrolleve në shkallë vendi, në të gjitha subjektet tregtare ushqimore, magazina apo njësi të shërbimit ushqimor.