Aktualitet

Furrë buke pa kushte higjienike, AKU kontrolle në disa qytete, gjobë disa bizneseve!

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka zhvilluar disa kontrolle në Tiranë, Durrës dhe Kukës, prej të cilave ka gjobitur disa biznese dhe ka ndërprerë aktivitetin tek një tjetër.

Duke iu referuar një denoncimi, shkruan AKU, është kryer inspektim në një subjekt me aktivitet “furrë buke” i cili ushtronte veprimtarinë e tij, në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare.

Gjithashtu, në vijim të veprimtarisë për garantimin e sigurisë ushqimore në vend, gjatë kontrolleve të ushtruara në qarqet Durrës dhe Kukës janë konstatuar mangësi në etiketim në gjuhën shqipe për katër subjekte me natyrë aktiviteti “market”.

Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese vendosi ndërprerjen e aktivitetit për subjektin në Tiranë si dhe janë marrë masat administrative me “gjobë” për pesë subjektet në vlerën e 550’000 dhe janë bllokuar 87 kg produkte të ndryshme ushqimore, deri në plotësimin e mangësive në etiketim.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është falënderues ndaj të gjithë qytetarëve, të cilët bëhen pjesë e përpjekjeve dhe e punës sonë për garantimin e sigurisë ushqimore.