Showbiz

Alban Skënderaj në “Live From Tirana”, flet për koncertin e tij dhe eksperiencën e Miriam-it në “The Voice Kids”

Alban Skënderaj ishte sot i ftuar në emisionin e mëngjesit “Live From Tirana” në TAR ku tregoi për emocionet e koncertit të tij klasik “Hapësira e Një Ëndrre”.

Në këtë koncert që do zhvillohet më 2, 3 dhe 4 mars, Albani përreth dy orë do të këndojë një ripunim të të gjitha këngëve të hershme të tij, por edhe atyre më të famshme dhe më të rejat të ndërthurura me ritme klasike, disa edhe moderne.

“Hapësira e Një Ëndrre” tejkalon përmasat e një koncerti klasik. Për Albanin do të jetë një eksperiencë, një hapësirë për të gjetur vetveten e për të shkëmbyer vetëm energji pozitive me publikun dhe fansat e zjarrtë që i kanë adhuruar të gjitha prurjet e këtyre 15 viteve karrierë.

Këngëtari i famshëm gjithashtu theksoi se projektet e tij të reja muzikore do të vijnë me një tekst të thjeshtëzuar ndërkohë që fton të gjithë të bëhen pjesë e koncerteve të tij për të cilat ka ende bileta për natën e tretë, pra më datë 4 mars.

Sa i përket pjesëmarrjes së bashkëshortes së tij në “The Voice Kids” si trajnere, Albani është shprehur se Miriami në këtë spektakël është krejtësisht vetvetja dhe për këtë arsye ka fituar simpatinë e publikut dhe të vogëlushëve.

Edhe në jetën e përditshme ajo karakterizohet nga ëmbëlsia, rrezatimi dhe pozitiviteti, për këtë arsye ajo përfaqëson 50% të “Dhuratës”.