Aktualitet

Ali Ahmeti “Qytetar Nderi” i Tiranës!

Bashkia e Tiranës nderoi sot në një ceremoni të posaçme kreun e Partisë së BDI në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, të cilit i dha titullin “Qytetar Nderi”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se është nder i veçantë që, një mik, frymëzues dhe misionar si Ali Ahmeti ndodhet sot në kryeqytetin shqiptar dhe i bashkohet Tiranës si qytetari më i ri.

“Është një nder i veçantë që sot, miku, vëllai, frymëzuesi, misionari, kryetari Ali Ahmeti dhe familja e tij e bukur na është bashkuar, teksa do jetë qytetari më i ri i Tiranës sonë të madhe. Tirana, siç e përmendim ne në zhargonin tonë, i ka me pikatore qytetarët e nderit. Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Kristo Frashëri, Adem Demaçi, për të përmendur disa dhe sot do i bashkohet këtij gjerdani të njerëzve që e nderojnë qytetin tonë, me qytetarinë e nderit, kryetari ynë, lider, misionar, frymëzues, Ali Ahmeti”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi faktin se Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e gjatë të kombit shqiptar, por posaçërisht të kryeqytetit shqiptar.

“Disa njerëz i hyjnë politikës duke pasur ndërmend një ekskursion shkurt në rrugët e saj, por pastaj dalin siç hyjnë, pa lënë asnjë shenjë, pa ngulitur asnjë gjurmë, pa lënë asnjë vepër në kujtesën e njerëzve. Disa i hyjnë politikës duke e përfytyruar si një aksesor, me të cilën thjesht do të shtojnë edhe një medalje në xhaketën e tyre apo një rresht në CV e tyre. Edhe këta të padukshëm dhe kollaj të harrueshëm në rrugëtimin e tyre. Disa të tjerë i hyjnë politikës të shtyrë nga një vokacion i brendshëm dhe bëjnë vepra, madje kryevepra. Këta janë ata që mbeten në histori dhe sot jemi dëshmitarë që Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e gjatë të kombit tonë dhe sot posaçërisht të qytetit tonë. Ky është modeli i një politikani dhe i një aktivisti të vërtetë. Ky është modeli i Ali Ahmetit, politikanit për të cilin liria është një substancë e shpirtit dhe qenies së vet, sipas parimit të Hegelit, të atyre që e kuptojnë domethënien e lirisë. E dëshmon rruga e tij, jo thjesht e gjatë dhe intensive, por sidomos gjurmëlënëse”, tha Veliaj.
Mandej, ai shtoi se Ali Ahmetin nuk e ka ndalur askush, as burgu, as lufta, e as stërkëmbëshat e as ndonjëherë konfliktet.

“Ky është miku i jashtëzakonshëm që është me ne sot, herë petrit, që fluturon lartësive të qiejve në kërkim të lirisë dhe herë burim jetëdhënës i shqiptarisë dhe atyre që e duan kombin tonë. Siç duket, edhe pseudonimet e tij Petrit dhe Burim në kohën e Luftës, nuk kanë qenë edhe aq të rastësishme. Në qëllimet që i ka vënë vetes Ali Ahmeti asgjë s’e ka ndalur asnjëherë, as burgu, as lufta, e as stërkëmbëshat e as ndonjëherë konfliktet mes nesh, edhe kur armikun s’e kemi jashtë. Fati që e ka udhëhequr rrugëtimin e tij, duke mos e lënë kurrë në baltë, ka qenë gjithnjë madhështia rëndësia dhe domosdoshmëria e qëllimit që duhej arritur. Sepse qëllimet e Ali Ahmetit janë qëllime nga ato që i bëjnë luftëtarët, udhëheqësit dhe politikanët të meritojnë fjalën e thjeshtë, por shumë të vyer, patriotë dhe atdhetarë”, tha Veliaj.

Në fund, kreu i Bashkisë së Tiranës tha se ky titull nuk nderon vetëm mikun e madh të shqiptarëve, Ali Ahmeti, por nderon po aq edhe Tiranën tonë.

“Në këtë nderim të ndërsjelltë nuk është vetëm Tirana që nderon Ali Ahmetin me titullin qytetar nderi, por është nder në historinë e Tiranës që ju na jepni ne, duke qenë pjesë e familjes sonë, e skuadrës sonë dhe e misionit tonë. Nuk është vetëm Tirana që e nderon burrin që e ka shqiptarinë bosht të ekzistencës së vet, por njëherësh Tirana vetë nderohet, duke vlerësuar një figurë të jashtëzakonshme si miku ynë, vëllai ynë, Ali Ahmeti”, përfundoi Veliaj.

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e nderimit të Ali Ahmetit në Këshillit Bashkiak të Tiranës me titullin Qytetar Nderi. Në fjalën e tij Rama vlerësoi rolin e Ali Ahmetit duke thënë se pa të shqiptarët nuk do të ishin në ditët më të mira në Maqedoninë e Veriut. Kreu i qeverisë tha se Ahmeti ka bërë shumë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

“Duke pasur parasysh se për kë duhet të flas sot, kisha shumë frikë se mund tu mbaj me orë të tëra për figurën personalitetin dhe karakterin e Ali Ahmetit. Shumë i nderuar dhe i dashur kryetar, Ali Ahmeti, të nderuar miq dhe të ftuar sot Tirana nderon një shqiptar ndër më të mirët e historisë sonë kombëtare. E shkruar me stërmundime të jashtëzakonshme, jo vetëm shkak për fuqitë e mëdha, as vetëm për shkak fqinjësh më të fuqishëm, por edhe për shkak shqiptarësh të këqinj të cilët armët e luftës dhe demokracisë i përdorin kundër njëri tjetrit, pa pasur gajlen më të vogël se mes njëri tjetrit dhe të huajit të zgjidhnin të huajt. Nuk besoj se ndonjë komb tjetër në Ballkan, e ka vuajtur më shumë përçarjen mes vetes më shumë se shqiptarët.

Ali Ahmeti është një shqiptar ndër më të mirët, i cili vite më parë iu ngjit maleve të rezistencës për liri dhe të drejta të barabartë të vëllezërve dhe motrave tona në Maqedoni, me armët luftarake dhe asaj rezistence nuk kërkoi as gjakderdhje, as hedhjen në erë të shtetit të pavarësuar nga shpërbërja e Jugosllavisë. Armët në krahun e asaj rezistence malesh nuk synon ndarjen e Maqedonisë por bashkimin e saj nën të njëjtin flamur vlerash dhe parimesh mes vlerave demokratike të dy popujve, rruga e rezistencës së maleve që Ali Ahmeti e hapën me armët në krah, ishte rruga e një vizioni patriotik paqeje. Ato armë në krah nuk ishin as një blof politikanësh të verbuar nga etja për pushtet dhe as një shaka aventurierësh. Është ende herët për tu shkruar historia e kësisoj shqiptari ndër më të mirët, por nuk është herët të thuhet se ndër shqiptaret e kësaj kohe, ndër të cilat shkëlqe edhe ndryshimi rrënjësor i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti është mjeshtri unë më i madh i përdorimit të armës së demokracisë për të afirmuar subjektivitetin tonë kombëtar. Pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë nuk di ishin sot në ditën më të mirë”, tha Rama.

Ahmeti e tha se Tirana ka qenë edhe shtëpia e bashkëluftëtarëve që dhanë jetën për kombin.

‘Do të doja t’ju falenderoj nga zemra.

Kjo është Tirana edhe e Adem Jasharit. Kjo është Tirana edhe e Zahir Pajazitit, por kjo është Tirana edhe e Fehmi Ladrovcit e Xhevë Krasniqit.  Kjo është Tirana që akoma buzëqeshja kur kam parë kompaninë e parë që po futet në Kosovë e Luan Haradinajt. Si djalin e vetë e ka mbajt, nëna Dritë.

Kjo nanë, Tirana, Shqipëria ka qenë e varfër por ne na ka mbajtur ngrohtë në gjirin e saj, me qindra janë dëshmor, heronj të kombit që nëna këtu në prehrin e vet i ka mbajtur.

Do të doja t’ju falënderoj por një fjalë e një plaku të urtë na tha: Mos e falenderoni njëri-tjetrin se keni punuar në arën tuaj, vetëm punë e mbarë të thuhet, kur gjithë punët bëhen.

Por vërtet Shqipëria ka ndarë bukë e kryp me zemër me ne. Me të gjithë ata që nuk janë sot, por është Kosova shtet, janë shqiptarët shtet formues.

E kam thënë që kur kemi nisur veprimtarinë e kemi nisur për bashkimin e tokave shqiptare, dhe nuk kam asnjë rezervë. Sepse ka dhe asisoj që thonë jo e kemi nisur për demokraci. Ne e kemi nisur për bashkimin e tokave shqiptare. Rrethanat ndryshuan dhe ne ndryshuam strategjinë duke parë gjeopolitikat, gjeostrategjitë dhe u përkushtuam në çlirimin e Kosovës, por pa garancinë e kryeministrit të asaj kohe, zotin Dano,  që nuk do ketë kryengritje në Maqedoni. Shqiptarët që morën pjesë në luftën e Kosovës, u vranë në burgjet e Idrizovës. Dhe kjo ishte situatë e pakontrollueshme, sepse shqiptarët në Maqedoni ishin të marxhinalizuar, diskriminuar, pa gjuhë, pa universitete.

I dashur Edi! Sot edhe ju e keni në qendrën e Tiranës Skëndërbeun, por edhe unë e kam në Shkupin e vjetër në qendër. Edhe ju me krenari është flamuri kombëtar por edhe dënohen nëse nuk e kam flamurin kombëtar, në kancelari, në zyra, në komuna, 5000 euro është gjoba. 3 universitet, i dashur Edi ia kemi marrë kazermat Mlladiçit.  Në Kumavovë i dashur Erion, përsëri kazerma e Mlladiçit është universiteti i Tetovës. Kemi dhe shumë punë për të bërë.

Dua të falenderoj nga zemra për mbështetjen, përkrahje që na ka dhënë shteti shqiptar.

Tirana, e njoh Tiranën e 91 dhe sot nuk e njoh Tiranën e 2024. Humb, nuk e di ku jam. Tirana  është Tiranë tjetër krejtësisht, dhe kjo më gëzon mua, gëzon çdo shqiptar që vjen dhe viziton.

Ne, e dashura kryetarja e kuvendit, – se ishe përzi me shoqen time të dyja me flokë të bardha – dua t’ju falenderoj shumë për këtë nder.

Do përpiqem Erion të jem qytetar i disiplinuar, çfarë do aktiviteti të keni do jem pjesëmarrës sepse është dhe qyteti im.

Këtë nder e ndaj me të gjithë bashkëluftëtarët e mi patriotë, të burgosurit politik. E ndaj me 3000 mbetje mortore në vendlindjen time në nënën shqiptare, për atë flamur janë vrarë, për atë gjuhë.  Më keni nderuar mua, ju falemnderit shumë, suksese paçi në gjitha veprimtaritë e jetës.