Rajoni

Pas 7 vitesh, VMRO-DPMNE rikthehet në pushtet në Maqedoninë e Veriut!

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut i dhanë fund qeverisjes 7-vjeçare të Lidhjes Social-Demokrate në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare të një dite më parë. VMRO-DPMNE-ja nuk do të jetë më në opozitë, pasi u shpall fituese si në balotazhin për kreun e shtetit, ashtu edhe në zgjedhjet politike.

Kandidatja opozitare për presidente, Gordana Silanovska Davkova, fitoi mbi 65% të votave, kundrejt presidentit aktual, Stevo Pendarovski, i cili mori rreth 30% të tyre. VMRO-DPMNE/ja shënoi fitore të thellë në zgjedhjet politike, me 59 mandate nga 120 vende që ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut. LSDM-ja përjetoi disfatën më të thellë që nga formimi i saj në vitin 1990. Tani do të ketë vetëm 19 deputetë, një më shumë se Fronti Europian që kryesohet nga partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), me 18 mandate.

Koalicioni i opozitës shqiptare, VLEN, arriti të sigurojë 13 mandate ndërsa të tjerat u ndanë mes partisë E Majta dhe lëvizjes ZNAM.

Disfata e thellë e LSDM-së lidhet me disa faktorë, si: dështimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mungesa e sundimit të ligjit, kriza e thellë ekonomike, por edhe “lëshimet” që ka bërë ndaj partnerit të saj qeverisës, BDI-së, thonë analistët.

VMRO-ja e ka akuzuar për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar. Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, e pranoi disfatën dhe nuk e përjashtoi mundësinë që së shpejti të largohet nga drejtimi i kësaj force politike. Ai deklaroi:

LSDM-ja mori një grusht të rëndë. Kemi marrë dënimin nga votuesit. Askush nuk është realisht pa përgjegjësi.

Partia e Kovaçevskit fajësohet edhe për politikën e jashtme e në vazhdimësi është akuzuar për “tradhti”, pas marrëveshjes me Greqinë në vitin 2018 për ndërrimin e emrit të shtetit nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut, si dhe për pranimin e një marrëveshjeje me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez”, për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim përfshirjen e pakicës bullgare në të si popull shtet-formues.

Për shkak të këtyre marrëveshjeve, LSDM-ja ishte në shënjestër të akuzave për “shitje të interesave kombëtare maqedonase”. Zbatimi i marrëveshjes me Bullgarinë pritet të jetë sfida kryesore e qeverisë së re, që do të formohet nga VMRO DPMNE-ja. Kryetari Hristijan Mickoski u përqendrua në rezultatin e arritur dhe formimin e shpejtë të ekzekutivit të ri.

Në këto zgjedhje ka fituar Maqedonia, e cila u përket maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve, serbëve, boshnjakëve, popullit krenar që tregoi vendosmëri dhe qetësi. Qeveria në Maqedoni ka rënë dhe ka një arsye për këtë. Krimi, korrupsioni, paaftësia, vlerat false, shteti i konfiskuar, tenderat, nepotizmi dhe 100 pasoja të tjera, që e bënë shtetin të vuajë dhe popullin të zhgënjyer.

Ai paralajmëroi formimin e qeverisë me koalicionin e opozitës shqiptare, VLEN, pavarësisht se zgjedhjet në mesin e shqiptarëve i fitoi Fronti Europian, i kryesuar nga BDI-ja.

Koha është që së bashku me LSDM-në, BDI-ja të kalojë në opozitë. Populli ia dha leksionin më të rëndësishëm qeverisë së deritashme dhe shpëtoi vendin e tij.