Aktualitet Politikë

Alibeaj: “Prokuroria të bëjë transparencë mbi hetimet për pagat!”

Për skandalin e pagave, Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të bëjë transparencë mbi hetimet. Nënkryetari Enkelejd Alibeaj:

Përballë kësaj rrokopuje të shtetit shqiptar, përballë pasigurisë dhe mosbesimit që nxit te qytetarët shndërrimi i shtetit në një han pa porta, për shkak të interesave politike të partisë shtet, Prokuroria ka për detyrë të bëjë transparencë mbi hetimet për publikimin e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë.

Sipas Enkelejd Alibeajt, “përgjegjësia bie edhe mbi SPAK-un”.

Qeveria nuk mund t’i fshihet pergjegjësisë për këtë skandal të madh. Daljet butaforike dhe batutat e Edi Ramës, nuk mund të lënë në harresë faktin që të dhënat sensitive të mbi 630 mijë shqiptarëve janë sot në duart e bandave dhe kriminelëve. Përgjegjësia bie dhe mbi SPAK-un, institucioni që duhet të kishte hetuar me seriozitet dhe deri në fund skandalin me të dhënat personale të qytetarëve që Partia Socialiste përdori nëpërmjet patronazhistëve për zgjedhjet e 25 prillit.

Për Selinë Blu, “vënia para përgjegjësisë e autorëve të vërtetë të skandalit të patronazhistëve do të ishte shenjë e seriozitetit të hetimeve për një nga aktet që shënoi një nga kulmet e masakrës zgjedhore të 25 prillit”.

Por kur SPAK hesht, është e qartë se manipulatorët e politikës nuk frikësohen të zgjasin duart dhe të ndërhyjnë atje ku çdo shqiptar i ka besuar shtetit, të dhënat e tij personale. Eshtë e qartë që ideatorët dhe zbatuesit e skemës së publikimit të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë, si në rastin e patronazhistëve ashtu dhe në atë të disa ditëve më parë, është kupola e korruptuar e partisë shtet, e aftë për të përdorur çdo mënyrë dhe mjet në funksion në interesit personal.

Alibeaj tha se qytetarët shqiptarë presin një përgjigje të forë dhe të qartë nga drejtësia:

Mungesa e ndëshkimit të autorëve të skandalit të patronazhistëve, sot po kthehet në kërcënim të drejtpërdrejtë për jetët e mbi 600 mijë shqiptarëve.