Rajoni

Ambasada amerikane për Vulinin: Nuk ndërhyjmë në vendimet e personelit serb!

Dorëheqja e Aleksander Vulinit, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, ambasada amerikane në Serbi tha se Uashingtoni nuk ka rol në vendimet e autoriteteve serbe. Selia diplomatike u pyet nga Radio Evropa e Lirë për të komentuar dorëheqjen e drejtorit të Agjencisë për Sigurinë dhe Informacionin.

Dihet pozicioni ynë për Vulinin. Ai është nën sanksione amerikane.  SHBA-të synojnë të thellojnë partneritetin me Serbinë, me qëllim integrimin europian dhe euro-atlantik.

Një ditë më parë, Vulin dha dorëheqje nga pozita e shefit të agjencisë së Inteligjencës së Serbisë.

Po dorëzoj dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e drejtorit të BIA-s. Amerika dhe BE-ja po kërkojnë kokën time si kusht për të mos i vendosur sanksione Serbisë. Nuk jam shkaktar i shantazheve e presioneve ndaj Serbisë, por nuk e lejoj veten të jem shkaktar i shantazheve dhe presionit kundrejt Serbisë. Për këtë arsye jap dorëheqje të parevokueshme nga posti i drejtorit të BIA-s.

Vulin është në listën e sanksioneve amerikane prej korrikut të këtij viti, për shkak të dyshimeve për korrupsion, përfshirje në trafik droge, si dhe për lidhjet me Rusinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç pranoi se ka ekzistuar presion që kur Vulin u emërua në atë post.

Ai e di shumë mirë si lëviz dhe çfarë pasojash mund të ketë. Nuk mund të komentoj për të gjitha gjërat, për arsyen e thjeshtë se jam i detyruar që të mos flas për këto gjëra. E kuptoj reagimin e Vulinit. Ai nuk është agjent, as i Rusisë. Dua ta falënderoj Vulinin për kontributin e dhënë në ruajtjen e shtetit tonë, për ta bërë të qëndrueshëm e të pavarur.

Në dekadën e fundit, Vulin ka mbajtur disa poste politike, përfshirë atë të kryetarit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, si dhe në departamente të mbrojtjes e çështjeve të brendshme.

Ai ka mbajtur lidhje të ngushta me zyrtarët rusë edhe pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt 2022.

Ndonëse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, nuk i është bashkuar sanksioneve të bllokut europian kundër Rusisë, për luftën në Ukrainë.