Bota

Amerika kërkon zgjidhje për azilkërkuesit që presin në Meksikë!

Zyrtarë amerikanë e meksikanë po diskutojnë për një program të ri amerikan për refugjatët, thonë burime të Reuters-it. I nxitur nga azilkërkues jo-meksikanë që po presin në Meksikë, ky plan është pjesë e përpjekjeve të presidentit Joe Biden, për të krijuar më shumë rrugë ligjore për emigrimin.

Raportohet se programi do të vlejë për refugjatët nga Kuba, Haiti, Nikaragua e Venezuela në Meksikë. Por, për t’u kualifikuar, emigrantët duhet të dëshmojnë se në shtetin meksikan kanë qenë para 6 qershorit.

Një zyrtar amerikan, një meksikan e dy persona të njohur me çështjen, por që nuk pranuan të identifikohen, theksuan se çështja mbetet në diskutim dhe ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Nuk është e qartë sa njerëz mund të përfitojnë nga një program i tillë.

Qindra mijëra emigrantë nga Kuba, Haiti, Nikaragua e Venezuela kanë kaluar përmes Meksikës gjatë rrugës për në SHBA, duke bërë presion politik mbi Biden-in, i cili kërkon rizgjedhjen si president në vitin 2024.

Ky program do t’i lejonte emigrantët e kualifikuar të hyjnë përmes risistemimit të refugjatëve në SHBA, ndërsa kanë akses vetëm aplikantët jashtë vendit. Ndryshe nga shumica e emigrantëve që kërkojnë azil pasi hyjnë në SHBA, refugjatët do të merrnin autorizim të menjëhershëm për punë e përfitime qeveritare, si strehimi dhe ndihma për punësim.

Refugjatët që përdorin programin e risistemimit në SHBA mund të aplikojnë për t’u bërë banorë të përhershëm brenda një viti. Për t’u miratuar, duhet të vërtetojnë se përballen me persekutim për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësimit në një grup të caktuar shoqëror ose opinionit politik.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Meksikës tha se është në komunikim të vazhdueshëm me SHBA-të për zgjerimin e lëvizshmërisë së fuqisë punëtore dhe mbrojtjen e refugjatëve. Por, Meksika nuk ka arritur asnjë marrëveshje me SHBA-të.

Administrata Biden ka hapur rrugë të reja ligjore për emigrantët, si pjesë e një strategjie më të gjerë për t’i dekurajuar njerëzit nga kalimi ilegal i kufirit SHBA-Meksikë.

Emigrantët që presin në Meksikë mund të aplikojnë për hyrje në SHBA përmes një aplikacioni në telefon dhe më vonë të kërkojnë azil, por vendet në aplikacion mbushen shpejt. Sipas një programi tjetër të Biden-it, emigrantët nga Kuba, Haiti, Nikaragua e Venezuela mund të kërkojnë të hyjnë në SHBA përmes rrugëve ajrore, nëse kanë sponsorë amerikanë.