Bota

Amerika me frikën e një sulmi terrorist si i 22 marsit në Moskë!

FBI-ja e shqetësuar mbi mundësinë e një sulmi të koordinuar në Amerikë pas masakrës në Rusi. “Shtetet e Bashkuara përballen me kërcënime të sigurisë publike e kombëtare”, tha përpara ligjvënësve drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, Christopher Wray gjatë një seance për buxhetin. Masakra e 22 marsit në një sallë koncertesh në periferi të Moskës shkaktoi 144 viktima. Sulmin e mori përsipër ISIS-i.

Por, presidenti Vladimir Putin ka kërkuar të fajësojë Ukrainën edhe pse pa ofruar prova. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësimet lidhur me mundësinë e një sulmi të kryer nga një individ apo grup i vogël i frymëzuar nga lufta në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit. Ndërkaq, FBI-ja ka shqetësime në rritje lidhur me një sulm të koordinuar pas masakrës në Rusi.

Në fund të vitit fiskal 2023, FBI-a kishte të hapura 4 mijë hetime ndërkombëtare për terrorizëm, sipas dëshmisë me shkrim nga zyrtari i lartë Wray.

Shqetësim në rritje është potenciali për një sulm të koordinuar brenda vendit, i ngjashëm me sulmin e ISIS-K që ndodhi në Rusi disa javë më parë.

Wray përmendi shqetësimet e agjencisë në lidhje me terrorizmin në përpjekje për të bindur ligjvënësit për të shtuar fondet për FBI-në, megjithëse ka të ngjarë të përballet me një kundërshtim të fortë nga ligjvënësit republikanë.

Në një tjetër zhvillim, Agjencia Amerikane për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, CISA, tha se hakerë të mbështetur nga qeveria ruse shfrytëzuan aksesin e tyre te sistemi i emaileve të programit Microsoft për të vjedhur letërkëmbimet midis zyrtarëve dhe kolosit të teknologjisë. Kjo thuhet në një direktivë emergjente që u bë publike një ditë më parë.

Në direktivën që mban datën 2 prill 2024, agjencia paralajmëroi se hakerët po shfrytëzonin detajet e njëjtësimit e që ndahen me email, në përpjekje për të penetruar në sistemet e klientëve të Microsoftit, përfshirë një numër të paspecifikuar agjencish qeveritare. CISA nuk pranoi të jepte detaje se cilat agjenci qeveritare u prekën. Por, kompania Microsoft nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Organizata të tjera mund të jenë ndikuar gjithashtu nga penetrimi në email-et e korporatës Microsoft, tha CISA, duke inkurajuar klientët që të kontaktojnë firmën Microsoft për detaje të mëtejshme.