Bota

SHBA/Programi i debatueshëm i zbulimit merr OK në Dhomën e Përfaqësuesve!

Në Kongresin Amerikan, Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane votoi për të autorizuar vazhdimësinë e një programi të debatueshëm të zbulimit. Ky është një hap i rëndësishëm për mbajtjen në fuqi të një elementi kyç të operacioneve për mbledhjen e të dhënave nga shërbimet amerikane të zbulimit.

Ligjvënësit miratuan një projektligj që mban në fuqi seksionin 702 të Ligjit për Përgjimet e Zbulimit të Jashtëm (FISA), me një votim që prodhoi 273 vota pro e 147 kundër. Projektligji do të kalojë tashmë në Senat, aty ku dhe pritet të marrë miratimin e dy partive. Nëse nuk do të veprohej nga Kongresi, ky program survejimi do të skadonte më 19 prill, pra pas 6 ditëve.

Miratimi erdhi pasi vlefshmëria e këtij ligji ishte shkurtuar nga pesë në dy vite, me kërkesën e republikanëve. Ligji FISA është pritur me kritika nga ligjvënës republikanë dhe demokratë, që besojnë se shkel të drejtat kushtetuese të amerikanëve për privatësinë. Gjatë pesë muajve të fundit, projektligji u bllokua tre herë nga ligjvënës republikanë që madje janë ngritur kundër qëndrimit të partisë së tyre.

Shtëpia e Bardhë, drejtuesit e shërbimeve të zbulimit dhe ligjvënësit kryesorë në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve kanë paralajmëruar për pasoja të mundshme katastrofike nëse nuk ri-autorizohej ky program, që u konceptua pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2011.

Më herët këtë javë, ligjvënës republikanë patën kundërshtuar mbështetjen e dhënë nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, për një projektligj ku nuk reflektoheshin ndryshimet e kërkuara prej tyre.

Megjithëse e drejta e privatësisë është e sanksionuar nga Kushtetuta amerikane, ndër të dhënat për shtetasit e huaj që mblidhen nga ky program, shpesh ka edhe komunikime të bëra me amerikanë, që mund të shfrytëzohen nga agjencitë e zbatimit të ligjit, si FBI-ja, pa patur nevojë për një urdhër gjykate.

Një ndër çështjet më të debatuara ishte një amendament i paraqitur që do t’u kërkonte agjencive ligjzbatuese të siguronin urdhëra gjykate përpara se të hulumtonin të dhënat e mbledhura. Zyrtarët e ekzekutivit patën thënë se një ndryshim i tillë do të dëmtonte përdorimin e këtij programi nga agjenci si FBI-ja. Ky amendament nuk arriti të miratohej si pjesë e ligjit.