Bota

Amerika në bisedime me talebanët, por nuk i njeh si sundimtarë të Afganistanit!

Zyrtarët amerikanë zhvillojnë bisedime me përfaqësuesit talebanë, të parat që kur koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara u tërhoq nga Afganistani, në fund të muajit gusht.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se këto bisedime mbahen sot dhe nesër, në Doha të Katarit. Në të njëjtin vend, zyrtarët amerikanë janë takuar vitet e fundit me negociatorët talebanë, në përpjekje për arritjen e marrëveshjes së paqes.

Ne do të bëjmë presion që talebanët të respektojnë të drejtat e të gjithë afganëve, përfshirë grave e vajzave, si dhe të krijojnë një qeveri gjithëpërfshirëse, me mbështetje të gjerë.

Ndërsa Afganistani përballet me mundësinë e tkurrjes së madhe ekonomike dhe një krizë të mundshme humanitare, gjithashtu do t’i bëjmë presion talebanëve të lejojnë agjencitë humanitare në zonat ku ka nevojë.

Departamenti i Shtetit saktëson se ky takim nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara zyrtarisht e njohin sundimin e militantëve në Afganistan.

Ky takim nuk ka të bëjë me dhënien e njohjes apo të legjitimitetit. Ne jemi të qartë se çdo legjitimitet duhet të fitohet nga veprimet e talebanëve.

Delegacioni i Amerikës përfshin zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit, USAID-it dhe komunitetit amerikan të Inteligjencës. I dërguari i Posaçëm, Zalmay Khalilzad, i cili për vite me radhë ka drejtuar delegacionin negociues të SHBA-ve me talebanët në Doha, nuk do të jetë pjesë e tryezës. Po ashtu, delegacioni amerikan pritet të kërkojë nga talebanët që të ofrojnë rrugë të sigurta për largimin e qytetarëve amerikanë e të tjerëve që duan të largohen nga Afganistani, si dhe lirimin e qytetarit të rrëmbyer amerikan, Mark Frerichs.

Ndërkaq, talebanët po përballen me sfida për sigurinë, me autorë ekstremistë të ISIS-it. Një ditë më parë, 60 persona humbën jetën e mbi 100 u plagosën nga një sulm kamikaz ndaj një xhamie shiite në Kunduz të Afganistanit. Talebanët e dënuan atentatin.