Aktualitet Politikë

Amnistia Penale/ Alibeaj: Votojmë vetëm atë që s’përfshin zyrtarët e hetuar nga SPAK!

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, thotë se PD është e vendosur që të votojë vetëm një projektligj, atë që nuk përfshin zyrtarët e hetuar nga SPAK dhe të gjykuar në GJKKO-ja.

‘Partia Demokratike është e vendosur për të votuar vetëm një Projekt-ligj për Amnistinë Penale, i cili i shërben qytetarëve të thjeshtë dhe të pambrojtur dhe nuk përfshihen në të zyrtarët e hetuar nga SPAK dhe të gjykuar në GJKKO-ja.

Të qëndruarit në parime dhe në vlera, për Partinë Demokratike nuk janë kushtëzime, por janë e vetmja rrugë dhe zgjidhje për një amnisti në dobi të njerëzve dhe jo në dobi të të korruptuarve. Për ne, gjuha e arrogancës dhe e kërcënimit, është e papranueshme, sepse kemi qenë të qartë dhe vijojmë të jemi në raport me ato që kërkojmë, duke i bërë publike.

Partia Demokratike e Shqipërisë nuk kërkon pazar dhe nuk do gjë të votohen ligje tinëzisht dhe fshehurazi, por gjithçka do ta bëjë në transparencë të plotë, ku të prevalojë interesi i publikut.

Ne e mirëpresim tërheqjen e mazhorancës nga mospërfshirja e të dënuarave për korrupsion nga GJKKO, duke qenë kjo një mbështetje e pakushtëzuar për institucionet e SPAK-ut dhe të GJKKO-së, dhe japim dakortësinë tonë që në amnisti të përfshihen të gjithë protestuesit, pavarësisht kohës dhe periudhës në të cilën kanë protestuar.’- shkruan Alibeaj.

‘Përplasja’ për amnistinë penale

Një amendament i socialistëve bëri që kryedemokrati Lulzim Basha të akuzojë PS-në se po tenton të shpëtojë zyrtarët e korruptuar. Por, PS thotë se bëhet fjalë vetëm për ulje të dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë e të miturit edhe për ata që janë dënuar nga GJKKO, që më parë përjashtoheshin nga përfituesit, ndërsa të korruptuarit nuk përfitojnë. Ndërkohë që kërkesës së demokratëve për amnistinë ndaj protestuesve të opozitës, socialistët e kanë pranuar  pjesërisht por pa falur protestuesit e dhunshëm.