Aktualitet

Ankesa nga të burgosurit e hashashit! Letër e hapur: Na përfshini në pr/ligjin për amnistinë penale, po diskriminohemi!

44 të burgosur të hetuar nga SPAK, të shpallur fajtorë nga Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pretendojnë se po diskriminohen nga ligjbërësit.

Në një letër të dërguar ministrit të drejtësisë Ulsi Manja, kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, kryetarit të opozitës Lulzim Basha si dhe Top Channel, të burgosurit e sigurisë së Lartë në Peqin kërkojnë që të përfshihen në projektligj edhe ata të burgosur që kanë vuajtur shumicën e dënimit, për akuzën e trafikut të drogës.

Duke e konsideruar veten të thjeshtë para zyrtarëve të korruptuar që janë dënuar apo janë nën hetim, të burgosurit e Peqinit shprehen se nuk mund të barazohen dhe të ndëshkohen për shkak të korrupsionit  në nivele të larta.

“Sepse po digjemi , po diskriminohemi  për disa raste të korrupsionit të lartë që ne nuk kemi asnjë lidhje”, ankohen më tej të burgosurit.

Në gabimin tonë e kemi shlyer shkruhet më tej dhe kërkojmë që në amnisti të përfshihen të dënuarit e SPAK për kanabis. Në listën me 44 emra kanë firmosur edhe ish zyrtarët e policisë Sokol Bode e Gjergj Kohila, apo Arben Lekli i grupit që kultivoi kanabis në Skrapar apo Adrian Xhibro, i dënuari i grupit të kanabisit në Sarandë.

Gjithashtu në emër të kultivuesve të kanabisit rezulton se kanë firmosur edhe të dënuar si grabitës apo të dënuar për rrëmbimin e Jan Prengës. Ligji i amnistisë nuk po aplikohen prej katër vitesh dhe së fundmi kundërshtimet ishin pikërisht me dispozitat e veprave që heton SPAK dhe që i dënon Gjykata e Posaçme.

Pak ditë më parë një peticion gati të ngjashëm firmosën edhe të burgosurit e Durrësit që u shprehën se amnistia po mbahet peng nga qëndrimet politike