Sport

Armand Duka merr mandatin e 6-të! Rizgjidhet në krye të FSHF-së me 37 vota!

Armand Duka është rizgjedhur president i FSHF-së për herë të gjashtë, teksa mposhti në këtë garë dy kandidatët e tjerë, Sulejman Starova dhe Dritan Shakohoxha.

Duka u rizgjodh me shumicë votash në Asamblenë e Përgjithshme teksa nga 43 votues, fitoi 37 vota, kundër vetëm katër që mori Starova ndërsa nuk pati asnjë votë pro Shakohoxhës, ndërsa dy vota ishin të pavlefshme për gabime teknike.

Dritan Shakohoxha mungoi pasi siç deklaroi më herët e cilësoi të manipuluar dhe në kundërshtim me ligjin votimin për kreun e FSHF-së. Sipas tij vendimi për mbledhjen e Asamblesë Zgjedhore, u mor më 2 mars, nga një tjetër asamble jo e ligjshme, për shkak se në atë kohë kishte një vendim gjykate që nuk e lejonte FSHF-në të organizonte procesin zgjedhor.

Fjala e Dukës pasi u rizgjodh president:

“Jam i emocionuar dhe i obliguar për këtë votëbesim. Secili mund të ketë vërejtje për mua, por do t’i respektoj dhe do të mundohem t’i korrigjoj gjatë drejtimit të katërvjeçarit të radhës. Kam dëgjuar ofendime, por do të shmang me sportivitet shpifjet dhe ofendimet që do të vijnë. Dëshiroj të lë pas çfarë kemi kaluar në këto muaj për t’u përqendruar te futbolli. Së bashku me aktorët dhe faktorët e futbollit do të mbledhim energjitë për futbollin, mirëorganizimin dhe mirëqeverisjen. Ju falenderoj për besimin dhe do të jem krah jush në katër vitet e ardhshme”.