Aktualitet

ARRSH: Qarkullim normal në të gjitha akset!

Kryhet normalisht qarkullimi i automjeteve në rrugët e vendit, pavarësisht pasojave të motit të keq me shi, orët e fundit. Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH informon se disa prej rrugëve të bllokuara nga rënia e gurëve për shkak të motit të keq që ka përfshirë vendin tashmë janë pastruar dhe lëvizja vijon normalisht.

Sipas ARRSH-së, rrugët e pastruara janë Skuraj-Peshkopi, Hani i Hotit-Tamarë, Bogë-Theth, Kukës-Shishtavec, Vau Dejës-Pukë, Bajram Curri-Valbonë, Qafë Mali-Fierzë, Bujan-Qafë Morinë, Elbasan-Qafë Thanë dhe Përmet-Çarshovë.

Grupet e punës së mirëmbajtjes kanë qenë gjatë gjithë natës në terren duke punuar për të siguruar qarkullim normal në të gjitha akset nacionale.

Gjatë natës, reshjet e shiut kanë vazhduar në të gjithë vendin, shoqëruar me stuhi dhe erë duke sjellë rënie gurësh e materialesh në disa akse.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se për ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme për shkak të  masave ajrore të lagështa, me origjinë perëndimore. Moti parashikohet me vranësira të dendura të cilat gradualisht vijnë në përçarje e deri në mesditë, përgjatë ultësirës parashikohen reshje shiu të vazhdueshme me intensitet mesatar dhe hera-herës të lartë.

Reshjet janë në formën e rrebesheve dhe stuhive, shoqëruar me shkarkesa elektrike e breshër. Në verilindje të territorit nisin reshje të dobëta bore. Pas orëve të mesditës, shirat humbasin intensitet dhe bëhen të herëpashershme, me intensitet të ulët dhe mesatar.

Era do të fryjë me drejtim juglindje – jugperëndim e me shpejtësi mesatare 2-12 m/s, ndërsa në bregdetin jugor e në lugina, era shkon me shpejtësi 16 m/s. Valëzimi në dete parashikohet i lartë, i forcës 3-4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

Shkodër
13/17
Re shi diell

Kukës
9/17
Re shi diell

Lezhë
12/17
Re shi diell

Dibër
7/18
Re shi diell

Durrës
13/15
Re shi diell

Tiranë
13/17
Re shi diell

Elbasan
12/19
Re shi diell

Berat
11/20
Re shi diell

Vlorë
14/19
Re shi diell

Korçë
8/13
Re shi diell

Gjirokastër
9/17
Re shi diell

Sarandë
12/18
Re shi diell