Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH bën të ditur se qarkullimi vijon pa probleme në të gjitha akset kombëtare të vendit. Mësohet se gjatë orëve të natës e sot në mëngjes, reshje dëbore pati vetëm në Llogara të Vlorës, ku u punua për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës.
Ndërkohë temperaturat kanë qenë të ulëta, deri në -7 në zonat malore. ARRSH informon se grupet e punës të mirëmbajtjes kanë punuar pa ndërprerje në të gjitha akset me prani dëbore për shpërndarjen e kripës, me qëllim shmangien e ngricave. Po ashtu, Autoriteti këshillon drejtuesit e mjeteve që të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën, si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
Ulja e temperaturave e reshjet e borës që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit kanë prekur edhe malësinë e Tiranës. Sot në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ndau pamje nga malet e Tiranës, që në këtë fund nëntori kanë veshur petkun e bardhë të borës.
Pamje nga Puka:
Reshjet e dendura të borës kanë përfshirë me intensitet pesë qarqe të vendit, Kukës, Dibër, Korçë, Shkodër e zonat malore të Kurbinit. Njoftohet se të gjitha strukturat janë angazhuar në terren për të mbajtur të hapur për qarkullimin e mjeteve, akset kombëtare e ato rurale.
Reshjet e dëborës, në Kukës shumë rrugë rurale janë të kalueshme me zinxhirë, ndërsa të bllokuara mbeten ato për në njësitë Arrën, Zapod e Kalis. Nga subjektet kontraktore punohet për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të akseve kombëtare. Ndërkaq, ka probleme me furnizimin me energji elektrike në Njësinë Topojan e në disa fshatra të Malzisë.
Situata nga reshjet e borës në Mirditë po përmirësohet. Fshatrat Xhuxhë e Lari në Njësinë Administrative Fan, si dhe Bardhaj e Kthellë e Epërme në Njësinë Administrative Selitë, dolën nga izolimi. Sot vijon puna në terren për hapjen e rrugëve në Njësinë Orosh, për të bërë të mundur lëvizjen e banorëve në fshatrat Ndërshen, Nënshejt e Lajthizë.
Për ditën e sotme, vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore relativisht të thata e të qëndrueshme, si dhe njëkohësisht të ftohta, me origjinë veriperëndimore. Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin ndërsa duke filluar nga orët e pasdites e kryesisht të mbrëmjes pritet shtim gradual i vranësirave, deri të dendura.