Bota

Balotazhi për zgjedhjet parlamentare në Francë/Macron i druhet humbjes së shumicës!

Personat me të drejtë vote në Francë, sot janë thirrur të zgjedhin në balotazhin e zgjedhjeve parlamentare. Presidenti Emmanuel Macron i trembet humbjes së shumicës absolute në Asamble. Pas raundit të parë, u pa qartë se rrezikon të humbasë shumicën absolute, fronti i qendrës i shefit të Elizesë, i cili në fund të prillit u rizgjodh në krye të shtetit. Macron ka një kundërshtar të ri me aleancën e re të majtë, aleancën “Nupes”.

Tashmë duket në pikëpyetje një shumicë e qartë, për të cilën Emmanuel Macron ka bërë vazhdimisht thirrje. Sondazhet e fundit tregojnë se kjo shumicë po rrezikohet. Parashikimet janë që bashkë me aleatët, partia e Macron-it, “Ensemble” mund të marrë 225 deri në 305 vende. Për shumicën absolute nevojiten 289.

Këtë të dielë votohet për 572 vende në Asamblenë Kombëtare. Në raundin e parë, të datës 12 qershor, pesë kandidatë i fituan vendet në Parlament. Aktualisht, si rivale e fortë, shumicës parlamentare i qëndron përballë aleanca e majtë e ish-kandidatit për president, Jean-Luc Mélenchon dhe që përfshin socialistët e Të gjelbrit. Sipas sondazheve, aleanca e majtë arrin 140 deri në 180 vende. Në raundin e parë të dyja kampet kryesore politike kishin gati numër të njëjtë votash.

Për herë të parë që nga viti 1986, populistët e Rassemblement National të Marine Le Pen-it mund të krijojnë një grup parlamentar. Për këtë nevojiten 15 deputetë. Një hap i tillë do të thotë edhe më shumë mbështetje financiare e më shumë kohë fjalimesh në Parlament. Pas dy ditësh, Asambleja e re parlamentare zhvillon mbledhjen e parë, me senatin dhe dy dhomat e Parlamentit.

Më 5 korrik, kryeministrja franceze, Elisabeth Borne do të paraqesë programin e qeverisë. Në fokus, një ligj i ri për Shëndetësinë, që mundëson kufizimet kundër koronavirusit edhe pas shfuqizimit të gjendjes së emergjencës kombëtare, në fund të muajit të ardhshëm. Ndërkohë, pritet të hyjë në fuqi një ligj për fuqinë blerëse, që parashikon ndihma të reja për francezët në nevojë, për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve.