Rajoni

Maqedonia e Veriut, presidencialet në balotazh Davkova-Pendarovski/Kë do të mbështesin shqiptarët?

Kandidatja opozitare Gordana Siljanovska-Davkova, dje e fitoi bindshëm raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut dhe do të përballet me presidentin aktual, Stevo Pendarovski në balotazhin e muajit të ardhshëm. Por, pavarësisht fitores bindëse të Davkovës, sërish votat e shqiptarëve mund të luajnë rol kyç në raundin e dytë, ashtu si para 5 viteve.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Davkova nga partia opozitare VMRO-DPMNE siguroi 40.10% të votave, ndërsa Pendarovski nga Lidhja Social Demokrate në pushtet, 19.93%. Ishin 7 kandidatë që garuan dje, mes tyre edhe dy shqiptarë, të cilët nuk ia dolën të fitonin vota të mjaftueshme për të siguruar balotazhin.

Bujar Osmani nga Fronti Evropian mori 13.36% të votave, ndërsa Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN, 9.21. Pas fitores paraprake, Davkova u shpreh se nuk është kundër integrimit europian të vendit, por kërkon që integrimi “të mos bëhet duke dëmtuar interesat shtetërore e kombëtare maqedonase”.

Nëse zgjidhem presidente, angazhohem për thellimin e bashkëpunimit rajonal që së bashku, vendet e rajonit të ecin drejt rrugës së integrimit në Bashkimin Europian.

Davkova-Pendarovski do të përballen më 8 maj, ditë kur me balotazhin do të zhvillohen edhe zgjedhjet parlamentare. Kandidate për presidente, Davkova ishte edhe në zgjedhjet e 2019-ës, por humbi në balotazhin po me Pendarovskin, i cili triumfoi falë votave të shqiptarëve që ndihmuan në përmbysjen e epërsisë së saj.

Mbetet të shihet nëse do të ketë apo jo përmbysje të rezultatit edhe më 8 maj. Por, bazuar në diferencën e thellë prej rreth 180 mijë votash në favor të Davkovës, Pendarovskit i nevojitet mbështetja e të dy kandidatëve shqiptarë për president, Bujar Osmanit e Arben Taravarit, të cilët së bashku kanë rreth 200 mijë vota.

I pyetur se cilin kandidat do të mbështesë më 8 maj, Taravari u përgjigj:

Ende nuk kemi vendosur. Si koalicion duhet të ulemi dhe të bisedojmë për këtë çështje.

Por, ai mori një mesazh nga kryetari i VMRO-DPMNE/së, Hristijan Mickoski, i cili e uroi për rezultatin e arritur në zgjedhje dhe i ka shprehur gatishmërinë për të biseduar për pjesëmarrjen e opozitës shqiptare në qeverinë e ardhshme pas 8 majit.

Kandidati i Frontit Evropian, Bujar Osmani, gjithashtu nuk është prononcuar se cilin nga kandidatët do të mbështesë në balotazh, por ka përsëritur thirrjen për unitet në rrugën e integrimit europian.

Të vazhdojmë këtë betejë, të bëhemi bashkë! Edhe ata që kanë dilemën më të vogël t’i bashkohen Frontit Evropian, sepse ai është garanci i së ardhmes së begatë europiane.