Aktualitet

Banka Botërore për turizmin e Shqipërisë: Po nxit zhvillimin ekonomik, sektori gjeti “këmbët” e tij!

Shqipëria një vend ku turizmi mund të nxisë zhvillimin ekonomik. Kështu e sheh Banka Botërore në një shkrim të publikuar në blogun zyrtar.

Sektori i turizmit dhe udhëtimeve ka kontribuar deri në 8% të PBB-në së vendit dhe 38% të totalit të eksporteve, duke krijuar vende pune në vijimësi.

Në një shembull të mrekullueshëm, Shqipëria ka treguar si sektori i turizmit mund të nxisë zhvillimin ekonomik. Pas tranzicionit të trazuar ekonomik dhe politik të vendit në vitet 1990, turizmi u ul në periferi të ekonomisë shqiptare. Udhëtimi ndërkombëtar, mikpritja e shërbimet e lidhura me to, në thelb kujdeseshin për anëtarët e kthyer të diasporës së madhe të vendit. Megjithatë, në vitet 2000, disa operatorë të mëdhenj europianë të turizmit filluan të njihnin potencialin e Shqipërisë për t’u bashkuar me destinacionet e lulëzuara të Mesdheut, megjithëse shpesh të mbipopulluara, me diell dhe rërë. Ndërsa  pasoi një rritje e investimeve dhe midis viteve 2000 e 2019, numri i hoteleve, dhomave dhe shtretërve u rrit më shumë se dhjetëfish.

Gjatë dy dekadave të fundit, kontributi i sektorit të turizmit dhe udhëtimit të Shqipërisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të vendit u rrit dhe ka arritur në mbi 8%, duke krijuar vende pune e gjeneruar 38% të totalit të eksporteve. 2019-ta ishte viti më i mirë i Shqipërisë për turizmin me 6.4 milion vizitorë të huaj dhe 2.3 miliardë dollarë të ardhura sektoriale. E ardhmja dukej premtuese.

Fatkeqësisht, kur COVID-19 përfshiu botën, numri i vizitave ndërkombëtare ra me 60% dhe fitimet e sektorit ranë në 1.1 miliardë dollarë me nënsektorin e akomodimit që u tkurr me 75% vetëm në tremujorin e dytë 2020. Ndërsa 10% e bizneseve shqiptare raportuan mbylljen, 60% të tjerë fituan më pak se 10% të të ardhurave të tyre më 2019-ën e më shumë se gjysma e punonjësve në sektor u pushuan nga puna.

Për fat, ndërsa kufizimet e udhëtimit u lehtësuan dhe ekonomitë nisën përpjekjet për rimëkëmbje, sektori i turizmit u rikthye me ardhjen e 5.7 milion vizitorëve të huaj dhe të ardhurat nga turizmi arritën nivelet e para pandemisë gjatë verës 2021. Ndërsa sektori po gjente “këmbët” e tij, pushtimi rus i Ukrainës dha një goditje të dytë. Lajm i mirë është se pavarësisht luftës, vera e vitit 2022 ishte edhe më e mirë.

Ndërkohë, nënsektori i “turizmit blu” të Shqipërisë, duke përfshirë shëtitjen me varkë, zhytjen, peshkimin rekreativ dhe sportet ujore, mbetet kryesisht i pazhvilluar. Për më tepër, pavarësisht trashëgimisë kulturore unike të Shqipërisë, turizmi kulturor përfaqëson një pjesë të vogël të industrisë.