Aktualitet

Banorët e “5 Majit” e gdhijnë jashtë, rezistencë për banesat që iu shemben sot!

Shembjet e banesave nga rindërtimi, banorë të njësisë 4 pranë zonës së “5 Majit” në Tiranë, vazhdojnë të qëndrojnë jashtë për të mbrojtur banesat. Sot pritet të ndërhyjnë fadroma e Inspektoriatit për Mbrojtjen e Territorit, për t’iu prishur shtëpitë. Ata kundërshtojnë marrëveshjen e ofruar nga Bashkia Tiranë. Rezistencës iu bashkuan edhe banorë të njësisë numër 8, banesat e të cilëve preken nga i njëjti projekt. Në ndihmë të IMT-së në zonë kanë shkuar forca të shumta të policisë për të mbështetur aksionin.

Të mbledhur rreth një zjarri, vetë banorët tregojnë se kaluan natën jashtë duke sfiduar temperaturat e ulëta.

Banorët rrëfejnë:

Hoqëm sa hoqëm material dhe prapë e kam me gjithë materialet e mbushura shtëpinë. Kemi shumë frikë se do na i shembin me materialet brenda. Më lajmëruan, unë i pamundur, kam bërë gjithë këtë rezistencë.

Të tjerë banorë presin fadromat me certifikata pronësie që i mbajnë në duar. Sa i përket zgjidhjes së Bashkisë, banorët e njësive administrative numër 4 dhe 8 që preken nga ky plan do të strehohen në një bllok pallatesh që po ndërtohet po te “5 Maji” e ku do të bashkëjetojnë edhe njerëz, shtëpitë e të cilëve pësuan dëme nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019.

Po ashtu, të tjerë banorë u dakordësuan dhe kanë nisur nënshkrimin e marrëveshjeve me Bashkinë e Tiranës për t’u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të vitit 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit.

Mbi bazën e kësaj VKM-je, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re. Po kështu, ata që janë në proces legalizimi, tashmë do të përfitojnë të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, në godinat e reja që po ngrihen në të njëjtën zonë në kryeqytet.