Aktualitet

Bardhi: “SPAK-u të hetojë tjetërsimin e votës!”

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaroi sot se “Çdo ditë, Partia Demokratike po bën publike gjithnjë e më shumë fakte, prova dhe të dhëna rreth vjedhjes më të madhe të zgjedhjeve në histori kryer nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi”.

Viktimat e masakrës elektorale Rama-Doshi-Rakipi janë qytetarët shqiptarë të cilët nuk u lejuan të sjellin me votë masive ndryshimin që i nevojitej vendit. Prej më shumë se një muaji, Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK kallëzimin penal për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Grupit të strukturuar kriminal” për shtetasit Edi Rama, Frrok Gjini, Niko Ibrahimaj, Ilir Babaj/Baba, Basri Babaj/Baba dhe çdo person tjetër të paidentifikuar nga ana e jonë!

Bardhi akuzoi kryeministrin Rama se qëndron në krye të asaj që e cilëson “skemë të manipulimit kriminal të zgjedhjeve”.

Basri Babaj/Baba që qarkullonte me makinë të blinduar në Laç, Vau Dejës është ndaluar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër nga vetë drejtori i Policisë së Qarkut Shkodër Niko Ibrahimaj ditën e mërkurë, tre ditë përpara datës së zgjedhjeve. Në cilësinë e provës materiale, në makinë u gjetën dy armë zjarri, shuma të mëdha parash që përdoreshin për të blerë vota si dhe materiale zgjedhore dhe lista të banorëve të zonës. Me ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama, Basri Babaj është lënë i lirë në mesnatën e po asaj dite. Ndërhyrjen e Edi Ramës e ka ndërmjetësuar një telefonatë e Frrok Gjinit, i renditur i pesti në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës.

Numri dy i Selisë Blu tha se “SPAK është në provë edhe për këtë operacion kriminal të blerjes dhe tjetërsimit të votës, për shkrirjen e shtetit me Partinë Socialiste dhe për nënshtrimin e policisë përpara krimit të organizuar”.