Aktualitet

Basha për Paketën e qeverisë: “Tallje me qytetarët!”

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi sot lidhur me masat e marra nga qeveria nëpërmjet Paketës së Rezistencës Sociale në mbështetje të qytetarëve dhe biznesit të vogël. Në një postim, Basha shprehet se “Edi Rama vazhdon të tallet me qytetarët me gjoja paketa shpëtimi. Është e njëjta skemë siç bëri në kohën e pandemisë, ku shumica dërmuese e shqiptarëve u zhytën në mjerim”.

Sipas tij, “qeveria ka parashikuar të shpërndajë lëmoshë tek grupe të kufizuara, që po mbijetojnë, kur në fakt rritja e çmimeve prek të gjitha shtresat dhe do të zhysë në varfëri qindra-mijëra familje”. Basha shton se “Zgjidhje ka, ia kemi propozuar kohë më parë, ku i kërkuam të marrë masa, sepse shqiptarët janë aq të varfër, sa nuk i përballojnë dot kostot shtesë për të përmbushur nevojat bazë”.

Mjafton të shohësh vendet fqinje për të kuptuar se ka zgjidhje që ndihmojnë të gjithë qytetarët. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ligjin për uljen e akcizës për karburantet dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 18 në 10 për qind. Po kështu ka vendosur për uljen e TVSH-së për ushqime bazë nga 5 në 0 për qind. Por ndërkohë që bën sikur po ndihmon qytetarët, në këtë kohë krize qeveria po programon më shumë taksa; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta rëndojnë edhe më shumë gjendjen.

Basha është i mendimit se “kriza nuk zgjidhet me lëmoshë, ajo vetëm thellohet më shumë”.

Në një bashkëbisedim me pensionistë për Paketën e Rezistencës Sociale, kryeministri Rama tha se “qeveria do të mbrojë 726 mijë familje e 95 mijë biznese të vogla nga rritja e çmimit të energjisë”. Ndërkohë, duke folur për protestat deklaroi se e bëjnë Shqipërinë të vetmin vend në NATO dhe botën demokratike, që për turp proteston që në ditët e para të luftës për pasojat e saj.

Kjo protestë që është turpi i Shqipërisë e mund të vazhdojë edhe 4 vjet, deri më 2025-ën, por taksë nga nafta nuk kanë për të hequr dot!