Aktualitet

Bashkimi Europian: Harta e re gjyqësore, hap i rëndësishëm për përmirësimin e punës

Bashkimi Europian përshëndeti miratimin e hartës së re gjyqësore në vend. Sikurse bëri edhe ambasada amerikane, BE-ja, përmes një deklarate në rrjetet sociale, tha se kjo hartë është një hap i rëndësishëm në përmirësimin e eficiencës në gjykatat shqiptare.

“Harta e re, e zhvilluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, është rezultat i një procesi të gjatë këshillimi dhe është hartuar me mbështetjen e ekspertëve të Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe atyre amerikanë. Tani, çelësi është zbatimi i plotë i saj. Bashkimi Europian mbetet një mbështetës i fortë i Shqipërisë”.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, njoftoi pas mbledhjes së qeverisë se harta e re gjyqësore bën që në vend të ketë 13 gjykata të shkallës së parë, një Apeli dhe dy administrative.

Dhoma e Avokatisë vijon të kundërshtojë hartën e re gjyqësore, duke paralajmëruar si hap të radhës dërgimin në Gjykatën Kushtetuese.

Maks Haxhia tha se kjo është harta më e gabuar në sistemin gjyqësor.

“Jemi të bindur që pasojat do të jenë tejet të rënda nëse aplikohet kjo hartë. Kemi protestuar në mënyrë civile dhe demokratike, pavarësisht se nuk na kanë dëgjuar. Hapi ynë final do të jetë Gjykata Kushtetuese”, tha Haxhia.