Aktualitet

BB: Pandemia dhe tërmeti shtuan numrin e të varfërve në vend!

Kriza e pandemisë COVID-19 e ka thelluar më tej varfërinë në vend. Në vlerësimin e fundit të Bankës Botërore rezulton se listës së të varfërve iu shtuan vitin e kaluar edhe 112 mijë shqiptarë të tjerë, duke bërë që 1/3 e popullsisë së vendit të jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë.

Kjo sipas raportit i referohet skenarit më pesimist të institucionit financiar ndërkombëtar, pasi në atë më optimist përllogariten rreth 28 mijë më shumë të varfër të rinj.

Sipas raportit të gjithë vendet e rajonit kanë parë një rritje të shkallës së varfërisë, pasi vitin që lamë pas përllogaritet të jenë shtuar ndërmjet 165 dhe 336 mijë të varfër.

Por më e dukshme dhe më agresive ky fenomen konstatohet në Shqipëri si rrjedhojë edhe e ndikimit të tërmetit të nëntorit të 2019-ës veçanërisht në zonat e prekura, që së bashku të dy faktorët fshinë edhe përparimin e bëri deri në 2019-ën, ku ndërmjet viteve 2014-2019 niveli i varfërisë pësoi rënie prej gati 1% në vend.

Kategoritë më të prekura nga kriza rezultojnë ato që punojnë në sektorë që sjellin të ardhura më të pakta si dhe pjesa e padeklaruar e punonjësve, që edhe pse shumë prej tyre humbën vendin e punës për shkak të pandemisë nuk arritën dot të përfitojnë edhe nga paketat mbështetëse të qeverisë.

Nisur nga goditja e pandemisë, Banka Botërore parashikon rimëkëmbje të ngadaltë të ekonomisë në rajon dhe në Shqipëri, ku për këtë të fundit pritshmëritë janë që ekonomia këtë vit të zgjerohet me 4.4%.