Aktualitet

BE dhe ambasada amerikane dënojnë dhunën e ushtruar gjatë protestës në PD!

Pas protestës në selinë e Partisë Demokratike të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, protestuesit arritën të shpërthenin derën kryesore të godinës së selisë së PD-së dhe u futën në hollin e katit të parë. Theksojmë se nga dhuna e ushtruar nga protestuesit gjithçka është shkatërruar. Tashmë kanë mbetur dyer të thyera dhe shumica e objekteve janë të shkatërruar.

Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ku u ka bërë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje.

Nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë. Të gjithë të përfshirët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe paqësore dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve të pranishëm.  Për BE-në, rruga e integrimit të Shqipërisë ka nevojë për një opozitë solide që kontribuon në agjendën e reformave të vendit, duke iu përgjigjur aspiratës së popullit shqiptar, shumica dërrmuese e të cilit dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE.

Ambasada amerikane nga ana tjetër bën thirrje të shmanget dhuna.

Çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut, proceseve politike dhe ligjore, në interes të popullit shqiptar, jo interesave të ngushta individuale.

Nga tensionet e krijuara ka reaguar edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Ata të cilët iniciojnë dhunë apo nëpërkëmbin ligjin do të vihen para përgjegjësisë. Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara me tensionet në rritje në selinë e Partinë Demokratike teksa protestuesit janë duke përdorur forcë. Ne u bëjmë thirrje organizatorëve të protestës të qëndrojnë larg dhunës dhe të vendosin qetësi. Ata të cilët iniciojnë dhunë apo nëpërkëmbin ligjin do të vihen para përgjegjësisë.