Rajoni

BE-ja hap rrugën për bisedimet e anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën!

Në samitin që i bëri bashkë në Bruksel, udhëheqësit e Bashkimit Europian dhanë dakordësi me kusht për të hapur bisedimet zyrtare me Bosnjë-Hercegovinën për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Njoftimin e bëri të ditur presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në një postim në X, i njohur më parë si Twitter.

Vendimi i sotëm është një hap kyç përpara në rrugën tuaj drejt Bashkimit Europian, shkroi Michel, duke iu drejtuar vendit të Ballkanit Perëndimor. Tani, puna e vështirë duhet të vazhdojë, në mënyrë që Bosnjë-Hercegovina të përparojë në mënyrë të qëndrueshme. Vendimi do të thotë se negociatat e anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën janë zyrtarisht të hapura, por nuk i lejon Brukselit dhe Sarajevës që të fillojnë të bisedojnë ende.

Bosnjë-Hercegovinës, së pari do t’i duhet që të demonstrojë përparim të mëtejshëm në çështje të tilla si reforma gjyqësore dhe lufta kundër korrupsionit. Më pas, Komisioni Europian do të duhet që të propozojë një plan për bisedimet e quajtura kornizë negociuese, të cilat do të kenë nevojë për miratimin unanim të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Ne do të mbështesim propozimin e komisionit për hapjen e negociatave, tha kryeministri holandez Mark Rutte. Megjithatë, përpara se të bihet dakord për kornizën e negociatave, është thelbësore që Bosnjë-Hercegovina të përmbushë të gjitha veprimet e nevojshme.

Në një tjetër zhvillim, gjatë punimeve të samitit në Bruksel, udhëheqësit e BE-së paraqitën kërkesën e tyre të parë për një armëpushim humanitar dhe lirimin e të gjithë pengjeve në Gaza, në një deklaratë të përbashkët në takim.

Deklarata bën thirrje për një pauzë të menjëhershme humanitare që çon në një armëpushim të qëndrueshëm e në dënime të përsëritura të sulmeve të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar kundër Izraelit.

Pas sulmeve të Hamasit, liderët e BE-së arritën në muajin tetor që të bënin thirrje vetëm për korridore dhe pauza humanitare në Gaza, për të lejuar që ndihma të aksesohej nga civilët palestinezë. Irlanda, Spanja dhe Belgjika kërkuan armëpushim gjatë samitit të BE-së në Bruksel.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ra dakord me thirrjet pasi më parë kundërshtoi armëpushimin në tetor, duke përmendur të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër sulmeve nga Hamasi.