Bota

BE-ja heq kufizimet për grurin ukrainas, por jo të gjitha vendet anëtare i përmbahen vendimit!

Brukseli zyrtar njoftoi fundin e menjëhershëm të kufizimeve të diskutueshme të importit për produktet e grurit ukrainas. Por, tre shtete lindore të BE-së u zotuan të ruajnë ndalesat, pavarësisht vendimit të bllokut. Eshtë fjala për Poloninë, Hungarinë e Sllovakinë.

Lëvizja e Unionit u mirëprit nga Kievi, që po lufton për të ofruar grurin e tij në botë për shkak të bllokadës ruse. Por, Varshava dhe Budapesti këmbëngulën të mbajnë kontrolle të diskutueshme, nga frika e një teprice të produkteve të grurit ukrainas dhe një rënieje të çmimeve. Më vonë, Bratisllava ndoqi shembullin e tyre.

Ministri hungarez i Bujqësisë, István Nagy konfirmoi se vendi i tij do të vazhdojë të kufizojë importet.

Hungaria po i merr gjërat në duart e veta, për të mbrojtur fermerët e saj dhe do të ruajë e zgjerojë ndalimin e importit brenda juridiksionit kombëtar. Janë shfaqur shqetësime se një fluks i importeve të lira ukrainase mund të pushtojë tregjet fqinje të BE-së, duke lënë kapacitet të pamjaftueshëm ruajtjeje për korrjet e ardhshme të vjeshtës.

Komentet e Nagy-t erdhën pasi edhe Polonia këmbënguli në mbajtjen e një ndalimi për të mbrojtur tregun e saj. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki:

Ne do ta bëjmë sepse është në interes të fermerëve polakë.

Pavarësisht zotimit për të ndihmuar Ukrainën e shkatërruar nga lufta me të gjitha mjetet e mundshme, Komisioni Europian nën presion, ndoqi një rregullore që kufizon importet deri më 15 shtator. Masa kufizoi tregtinë me mallrat ukrainase, si gruri, misri, farat e lulediellit, në pesë shtete anëtare lindore, përkatësisht Hungari, Poloni, Sllovaki, Rumani e Bullgari.

Tani, çrregullimet e tregut janë zhdukur. Ukraina ra dakord të prezantojë masa ligjore brenda 30 ditëve për të shmangur rritjet e grurit. Si Brukseli, ashtu edhe Kievi duhet të monitorojnë situatën e të reagojnë ndaj çdo të papriture.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky:

Të gjitha kufizimet e mëparshme të Komisionit Europian për eksportet bujqësore të Ukrainës tani janë hequr. Falënderova Ursula von der Leyen-in që mbajti fjalën e saj dhe respektoi rregullat e tregut të vetëm. Ky është një shembull i Ukrainës dhe BE-së.

Tensionet rreth importeve të grurit çuan në një përçarje në marrëdhëniet mes Polonisë e Ukrainës, që zakonisht konsiderohen aleate të ngushta në mbrojtjen ukrainase kundër Rusisë.

Importet e grurit ukrainas në bllok u rritën ndjeshëm pasi Rusia bllokoi portet e Ukrainës në Detin e Zi, duke privuar Kievin nga aksesi në rrugën kryesore të eksportit për prodhimin e madh bujqësor. Në korrik, Moska pezulloi një marrëveshje të negociuar nga OKB-ja, e cila lejonte Kievin të eksportonte nga deti disa produkte ushqimore, si drithërat.