Aktualitet Politikë

Berisha: Rama abuzoi me udhëtimet me avionë taksi, të dorëhiqet!

“Shqipëria në rrezik, protesto, t’i dalim zot, bashkë!” do të jetë slogani i Partisë Demokratike për protestën e thirrur në Tiranë, më 12 nëntor. Ndërkohë, kryetari i PD-së, Sali Berisha, sot zhvilloi takimin e përjavshëm me gazetarët, ku u fokusua te protesta e paralajmëruar e opozitës, muajin e ardhshëm. Sipas tij, “zemërimi i qytetarëve, biznesit të vogël, familjarëve dhe pensionistëve është i papërmbajtshëm, për shkak të çmimeve të larta”. Berisha akuzoi Ramën për udhëtimet me avionë dhe i kërkoi të japë dorëheqje:

Edi Rama me 137 udhëtimet e tij vajtje-ardhje, 54 i ka kryer përpara themelimit të “Air Albania”, pra ka marrë nga kompanitë e çarterave avionë taksi në dispozicion të zotërisë së tij. Të gjitha fluturimet e tjera, Edi Rama i ka bërë përsëri me avion taksi, me “Ismailin” e pasionuar, që flet sikur i ka mbirë në kopshtin e Surrelit.

“Ismaili” është një avion i “Air Albania”-s, dhuratë e presidentit Erdogan. Por problemi është se karburantin, parkingun, rrogat e pilotëve, stjuardesave, që shkon 150 mijë euro në një udhëtim, i paguajnë baballarët e atyre që kalojnë me gomone La Manshin.

Ai do japë sqarime deri më një, shqiptarët nuk do ia falin këtë abuzim, që shkon në të paktën 22 milion euro, që tejkalon jashtë çdo lloj limiti, abuzivitetin më maksimal.

Avion në dispozicion kanë emirë e sheikë, por zor të gjendet një prej tyre që ka fluturuar 137 herë me avion në dispozicion. Këtu është përdorur avioni në mënyrën më abuzive. Edi Rama duhet të japë dorëheqje dhe të mos presë ta heqin qytetarët e zemëruar shqiptarë.

Po ashtu, Berisha tha se çdo deputet dhe anëtar i PD duhet të jetë në protestën e 12 nëntorit.

Çdo deputet, çdo anëtar dhe simpatizant i PD, është i ftuar dhe në vlerësimin tim, i detyruar të marrë pjesë në protestën antiqeveritare, antiregjim absolutar të datës 12 nëntor. I detyruar moralisht.

Në lidhje me vendimin e ERE-s për fashën 800 kW, kryetari demokrat u shpreh se “preken të paktën 60% e qytetarëve shqiptarë dhe preket e tërë shtresa e mesme, goditet shtresa e mesme”.

Edi Rama do përgjigjet për këtë vendim, në një kohë që udhëton vetë me dhjetëra miliona euro charter.

Ndërkohë, kishte një mesazh për presidentin e Turqisë, Erdogan:

Dua t’i them haptas, presidentit të Turqisë, se puna që bën për pushtetin e Edi Ramës është në kundërshtim flagrant me interesat e shqiptarëve. Aktet prej vasali që kryen Edi Rama, nuk shërbejnë, nuk funksionojnë aspak në një bashkëpunim afatgjatë mes dy vendeve.

Nuk mundet presidenti i Turqisë të diktojë se cila shkollë duhet të funksionojë, se cili ministër i Jashtëm duhet të jetë apo jo. Unë nuk kam simpati për Ditmir Bushatin, por nuk mund të ndërhyjë ai që ta largojë.

Nuk mund të ndërhyjë presidenti i Turqisë se kush është kryemyftiu, se këtë nuk e bën as kryeministri dhe presidenti shqiptar. Këto janë të papranueshme!