Aktualitet

Bërxulla kërkon ndihmën e SHBA-ve/ Protestë para ambasadës amerikane kundër Ballukut e Gener 2!

Banorët e Bërxullës protestuan sërish kundër ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe firmës Gener 2, të cilët po i shpronësojnë pa të drejtë për rrugën Thumanë-Kashar. Sot shkuan para Ambasadës Amerikane në Tiranë, pasi si qeveria ashtu edhe opozita nuk po i dëgjojnë prej muajsh tashmë. Ndërsa kërkojnë të kompensohen, duan edhe të ulen në bisedime e tani kanë besim vetëm te ndërkombëtarët.

Me pankarta në duar e me thirrjen: “Prona është e shenjtë, do e mbrojmë me gjak”, protestuesit i kërkojnë ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim të ndërhyjë pasi siç theksojnë, “po iu shkelen të drejtat”. Po ashtu, u shprehën se do të ndërmarrin një peticion lidhur me të gjitha kërkesat që kanë paraqitur.

Pas 57 ditësh protestë që nga Kryeministria, Ministria e Infrastrukturës, Avokati i Popullit, kemi marrë përgjigje nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, asnjë institucion tjetër nuk na ka kthyer asnjë përgjigje. I drejtohemi Ambasadës Amerikane, firma zhvillon aktivitetin prej tre muajsh pa asnjë pengesë nga ana e shtetit. Sipas kontratës duhej të ishte përgatitur terreni 12 muaj para, ka zbritur në terren në kundërshtim me të gjitha ligjet.

Këtë paligjshmëri do e delegojmë me një peticion e të shpresojmë që të ketë një zgjidhje për ne!

Protestat do të vijojnë e do të shkojmë deri në Këshillin e Europës.

Nuk kishte asnjë tentativë, se janë të përfshira të dyja palët, ofiqet e veta i kanë të barabarta ata.

Ambasadores i them se ky Gener 2 më vjen tek shtëpia, aty është prona ime prej 100, 300 vitesh. Do ta mbroj me gjak! I rrita 6 fëmijë me djersë e  t’ia shes Gener 2-shit?!  Edhe 100 milion dynymin, nuk ia lejoj, le të më vrasë!

Punimet vijojnë në Fushë-Prezë, por në Bërxull nuk i kemi lejuar, këtu nuk ka ligje, nuk ka të drejta. E gjithë pasuria jonë aty është./Top Channel