Bota

Biden apo Trump? Cilin kandidat do të preferonte Kina?

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara fushata zgjedhore intensifikohet, si presidenti Joe Biden ashtu edhe rivali i tij i mundshëm, Donald Trump premtojnë se do të mbajnë një qëndrim të ashpër ndaj Kinës. Por, çfarë mendojnë në Kinë për zgjedhjet amerikane? Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo pyeti banorët e Pekinit se çfarë përshtypjesh kanë për dy kandidatët.

Marrëdhënia SHBA-Kinë është cilësuar si më e rëndësishmja në botë. Shpesh është e tensionuar. Me afrimin e zgjedhjeve amerikane, tensionet mund të rriten. Për të mësuar si i shohin kinezët këto marrëdhënie, Zëri i Amerikës shkoi në Pekin. Hera e parë që një gazetar i Zërit të Amerikës lejohet të shkojë në Kinë në katër vitet e fundit, për shkak të pandemisë dhe tensioneve mes dy vendeve. Por, çfarë mendojnë banorët e Pekinit për kandidatët Biden dhe Trump?

Kur mendoj për vendin tim, cilido të zgjidhet, nuk do të jetë i mirë për ne, thotë Sun, një banore e Pekinit.

Nga pozita e një studenti të thjeshtë kinez, preferoj Trump-in. Edhe pse ai e ekzagjeron shpesh, të paktën ai po e bën këtë për të mirën e vendit të tij, shprehet Alani.

Politika e Trump-it për Kinën ishte e paparashikueshme duke u luhatur mes sulmeve të ashpra dhe diplomacisë së bujshme personale.

Dikur kishte shumë tension mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Tani është një marrëdhënie e ngrohtë, shprehej Trump në tetor të vitit 2019.

Në Kinë, përshtypja për ish-presidentin Trump është se duke dëmtuar imazhin global të SHBA-ve, në të vërtetë, ai po ndihmon Kinën.

Eshtë interesante, shumë nga gjërat që ai bën, në fakt përputhen me interesat e Kinës, deklaron Tao.

Ai është shumë i drejtpërdrejtë. Dhe ndonjëherë vepron në mënyrë të tillë që duket se e ndihmon Kinën , thotë Huang.

Donald Trump vendosi tarifa të larta që goditën ekonominë e Kinës. Por, gjithashtu tensionoi marrëdhëniet me shumë aleatë të SHBA-ve. Ai u tërhoq ose vuri në shënjestër shumë organizata në qendër të rendit global të udhëhequra nga Amerika. Ndërsa Biden ka forcuar aleancat e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në Azi duke nervozuar Pekinin.

Ai ka një qasje më tradicionale. E vë theksin tek aleancat dhe nxit vlerat ideologjike. Për shembull, mbajti një samit për vlerat e demokracisë kundër autokracisë, u shpreh për Zërin e Amerikës Wang Huiyao, president i Qendrës për Kinën dhe Globalizimin.

Pavarësisht fërkimeve, lidhjet janë stabilizuar nën drejtimin e presidentit Biden, zhvillim i mirëpritur nga shumë në Kinë.

Nuk duam të shohim një përkeqësim të lidhjeve siç kemi pasur më parë. Sepse nëse ndodh një gjë e tillë, mund të jetë shumë e rrezikshme e jo vetëm për SHBA-të dhe Kinën, por për gjithë botën.

Me afrimin e zgjedhjeve në SHBA, ka shumë pasiguri për këtë marrëdhënie.