Bota

Biden: Izraeli e ka “tepruar” me luftën në Gaza/Presidenti amerikan kërkon pauzë në luftime!

Izraeli e ka “tepruar” në fushatën ushtarake në Rripin e Gazës dhe po punohet me këmbëngulje që Izraeli dhe Hamasi të bien dakord për një armëpushim afatgjatë. Qëndrimin e shprehu presidenti amerikan, Joe Biden teksa foli për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë. Shtetet e Bashkuara e cilësojnë Hamasin “organizatë terroriste”.

Unë jam i mendimit, siç e dini se Izraeli e ka tepruar me përgjigjen e tij në Rripin e Gazës.

Deklaratat e fundit të Biden-it janë ndër kritikat më të ashpra publike që ka bërë deri tani ndaj qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Ato vijnë pas rritjes së presionit të brendshëm për ta bindur Izraelin t’i ndalë sulmet që vazhdojnë të shkaktojnë viktima në radhët e civilëve palestinezë në Rripin e Gazës.

Të paktën nëntë persona, përfshirë fëmijë dhe gra u vranë nga sulmet ajrore izraelite gjatë natës dhe mëngjesit ditës së sotme në qendër të Rripit të Gazës, si dhe në qytetin jugor, Rafah që ndodhet në kufi me Egjiptin. Kjo u bë e ditur nga dëshmitarë dhe zyrtarë të spitaleve, të cituar nga agjencia e lajmeve Associated Press.

Më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës prej 2.3 milion banorësh është detyruar të zhvendoset në kufi me Egjiptin si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit. Duke mos qenë në gjendje të ikin nga territori i vogël palestinez, shumë prej tyre po jetojnë në tenda të improvizuara apo në vendstrehime të mbipopulluara të Kombeve të Bashkuara.

Palestinezët e Gazës shpresojnë dëshpërimisht që një armëpushim të mund të arrihet në kohë për të shmangur një sulm të mundshëm izraelit në Rafah. Por, Netanyahu thotë se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa ta arrijë një “fitore të plotë” kundër Hamasit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta përkrahnin një sulm në Rafah dhe se sulmi atje do të ishte një “katastrofë”.

Numri i palestinezëve të vrarë nga kjo luftë katërmujore në Gaza ka arritur në 27 mijë e 840 sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Një e treta e banorëve të Gazës vuan nga uria. Luftimet filluan më 7 tetor kur militantët e Hamasit hynë në qytetet jugore të Izraelit dhe kryen një sulm të beftë duke vrarë 1 mijë e 200 njerëz, kryesisht civilë. Ndërkaq, rrëmbyen 250 të tjerë.

Hamasi ende po mban më shumë se 130 pengje, por rreth 30 prej tyre besohet se kanë gjetur vdekjen.