Rajoni

Biden letër Osmanit mbi normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Uashingtoni rikonfirmon mbështetjen mbi vazhdimin e dialogut të Kosovës me Serbinë dhe arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, me fokus njohjen reciproke. Kjo nënvizohet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në një letër për homologen Vjosa Osmani, të cilën e uron për zgjedhjen në krye të shtetit.

SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme e dialogut produktiv mes Kosovës e Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin, që besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke. Partneriteti mes dy vendeve është i rrënjosur në vlera të përbashkëta. Do të punoj me Presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave e bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë COVID-19, zhvillimin ekonomik, si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike.

Në njoftimin e zyrës së Osmanit thuhet se Biden iu përgjigj edhe kërkesës së saj që Amerika të ndihmojë me vaksina, bazuar në letrën e 19 marsit.

Me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe ekipi do të jetë ne kontakt me Presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë.

Presidenti Biden veçoi edhe raportin personal të familjes së tij me Kosovën. Në këtë kontekst, presidenti amerikan përmendi të birin Beau, i cili ka shërbyer në Kosovë në kuadër të forcave paqeruajtëse amerikane, siç thuhet në letër “për avancimin e paqes, si dhe sundimit të rendit e ligjit”.