Rajoni

Biden: “Mbështes fuqishëm integrimin europian të Ballkanit Perëndimor!”

Joe Biden shpreh mbështetje të fuqishme për integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Presidenti amerikan bisedoi në telefon me shefen e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Siç njofton Shtëpia e Bardhë, “Të dy udhëheqësit diskutuan edhe për bashkëpunimin Amerikë-BE, pandeminë COVID-19 e krizën e klimës”.

Qëndrimi i Biden-it, i paraprin samitit të Brdo-s në Slloveni mbi perspektivën e anëtarësimit të vendeve të rajonit. Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, të 27 vendet anëtare të Unionit janë pajtuar me tekstin e draftit të deklaratës që do të miratohet në këtë samit.

Aty thuhet:

Liderët e BE-së përshëndesin përkushtimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor ndaj perspektivës europiane, që është në interes strategjik dhe mbetet një zgjedhje e përbashkët strategjike.

Ashtu si edhe në deklaratat e kaluara nga të tilla samite, edhe kësaj radhe do të përsëriten thirrjet për respektimin e parimeve të demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë së mediave, shoqërisë civile, luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Po ashtu do të flitet për të drejtat e pakicave, si edhe të tjera kritere që janë parime themelore të BE-së. Javën e kaluar, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen zhvilloi një turne në vendet e Ballkanit Perëndimor e shprehu mbështetje për integrimin e këtyre vendeve në BE.

Nga sot, kryetarët e shteteve e qeverive të BE-së diskutojnë në Brdo të Sllovenisë marrëdhëniet me Amerikën dhe perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit. Konsultimet fillojnë në orën 19:00 me një darkë jo formale në kështjellën neo-klasike në Brdo pranë Kranjit, 25 km nga Ljubjana. Aktualisht, Sllovenia kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Sipas diplomatëve të BE-së, mes temave të samitit në Slloveni është dhe gjendja në Afganistan, krahas raporteve me Amerikën e Kinën.

Ndërkaq, nesër liderët e vendeve të Unionit do të konsultohen me kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Kosovës, Bosnjes e Malit të Zi. Në këtë raund do të bisedohet për mundësinë e zgjerimit të BE-së. Për shkak të rezervave që kanë vende të ndryshme anëtare të Unioni, prej vitesh procesi ka mbetur pezull.