Bota

Biden: Mund të mos jenë hedhur nga Rusia raketat që ranë në Poloni, duke shkaktuar dy viktima!

“Raketat që vranë dy persona në Poloni, mund të mos jenë hedhur nga Rusia”. Kështu shprehet presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Në Bali të Indonezisë ku mbahet samiti i G20-ës, Biden thirri edhe një takim urgjent për zhvillimet e fundit. I pyetur nëse është herët të thuhet se raketat që ranë në Poloni, u hodhën nga Rusia, deklaroi:

Ka informacion paraprak që e kundërshton këtë. Nuk dua ta them këtë derisa ta hetojmë plotësisht, por nuk ka gjasa në linjën e trajektores që të jenë hedhur nga Rusia. Por, do të shohim.

Shpërthimi i së martës në një fshat polak, pranë kufirit me Ukrainën, ndodhi pasi Rusia nisi një valë sulmesh raketore kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Ministria polake e Punëve të Jashtme saktësoi se “raketat ranë në Përzevodov”, rreth 6 kilometra nga kufiri me Ukrainën.

Rusia mohoi se është përgjegjëse për shpërthimin, ndonëse zyrtarët polakë thanë se raketat ishin prodhim rus. Polonia është vend anëtar i NATO-s e një sulm rus në territorin e saj do të rrezikonte zgjerimin e konfliktit përtej Ukrainës, pasi NATO është e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive. Neni 5 i Traktatit të Aleancës thotë se sulmi ndaj një vendi anëtar, është sulm ndaj të gjithëve.

Biden konfirmoi se “Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s do të bëjnë hetime të plota përpara se të veprojnë”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se “raketat ruse goditën Poloninë”, duke përshkallëzuar në mënyrë të konsiderueshme konfliktin. Megjithatë, nuk paraqiti ndonjë provë për përfshirjen e Rusisë. Pas një telefonate me homologun polak, Andrzej Duda, në Twitter shkroi:

E gjithë Europa e bota duhet të mbrohen plotësisht nga Rusia terroriste!

Dy diplomatë europianë thanë se Polonia kërkoi një takim të NATO-s, që pritet të mbahet sot, në bazë të Nenit 4 të Traktatit të NATO-s për konsultime mes aleatëve. Gjithashtu, Polonia rriti gatishmërinë e disa njësive ushtarake, siç njoftoi kryeministri Mateusz Morawiecki. Morawiecki u bëri thirrje polakëve të qëndrojnë të qetë, ndërsa presidenti Duda tha se nuk ka prova konkrete që tregojnë se kush i hodhi raketat.

Më herët, agjencia e lajmeve Associated Press, citoi një zyrtar të lartë të inteligjencës amerikane, sipas të cilit “shpërthimi në Poloni ndodhi si pasojë e raketave ruse që kaluan në këtë vend”. Por, në Uashington, Pentagoni, Shtëpia e Bardhë e Departamenti i Shtetit thanë se nuk mund t’i vërtetojnë këto raportime e se janë duke punuar me qeverinë polake për të mbledhur më shumë informacione.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mohoi se raketat ruse goditën territorin polak.

Të tilla lajme janë një provokim i qëllimshëm, që synon përshkallëzimin e situatës.