Bota

Biden: Nuk po kërkojmë të shkëputemi por të diversifikojmë marrëdhëniet tona me Kinën!

Në një deklaratë përmbyllëse nga samiti i G7-ës, Presidenti Amerikan Joe Biden deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e ekonomive më të fuqishme të globit nuk kërkojnë të shkëputen nga Kina, por kërkojnë të zhdukin rrrezikun që vjen nga Pekini si pasojë e lidhjeve të forta që ky vend mban me Rusinë.

 “Tani, ne jemi gjithashtu të bashkuar në qasjen tonë ndaj Republikës Popullore të Kinës. Deklarata e përbashkët e lëshuar dje përshkruan parimet e përbashkëta për të cilat të gjithë kemi rënë dakord në G7 dhe më gjerë në lidhje me marrdhëniet që kemi me Kinën.

Ne nuk po kërkojmë të shkëputemi nga Kina. Ne po kërkojmë të heqim rrezikun dhe të diversifikojmë marrëdhëniet tona me Kinën. Kjo do të thotë të ndërmarrim hapa për të diversifikuar zinxhirët tanë të furnizimit. Nuk duam të jemi të varur nga ky vend për produkte të caktuara.

Duam të shmangim mundësinë e një presoni ekonomik ndaj aleatëve tanë.”

Kjo deklaratë e Presidentit Amerikan vjen pasi ditën e djeshme Kina kundërshtoi deklaratën e përbashkët të aleatëve të G-7-ës duke akuzuar Japoninë, vendin pritës të këtij samiti.

Sipas Pekinit ekonomitë më të mëdha të globit po punojnë në interes të SHBA-ve duke presionuar Kinën  me praktika tregtare grabitqare.

Kina thotë se deklarata e përbashkët  e samitit të G-7 ndërhyn edhe në politikën e jashtme të Pekinit sa i përket kritikave që bën mbi marrdhëniet e këtij vendi me aleatë si Rusia.