Bota

Bie popullsia e Kinës, e para herë në 60 vjet!

Për herë të parë në 60 vjet, bie numri i popullsisë në Kinë. Shkalla kombëtare e lindjeve ka prekur rekord të ri, 6.77 lindje në 1 mijë gra. Vitin e kaluar, u shënua rënie me 850 mijë vetë, në krahasim me vitin paraardhës, pra 2021-shin. Prej vitesh, shkalla e lindjeve në Kinë ka qenë në rënie, duke nxitur autoritetet të ndryshojnë politikat për të frenuar fenomenin. Por, edhe shtatë vjet pas shfuqizimit të politikës për një fëmijë në familje, Kina ka hyrë në atë që një zyrtar e përshkroi si “epokë negative e rritjes së popullsisë”.

Vitin e kaluar, numri i vdekjeve tejkaloi atë të lindjeve në vendin e madh aziatik. Më 2022-shin, në Kinë u shënua shifra më e lartë e vdekjeve prej vitit 1976, 7.37 për 1 mijë persona, në krahasim me 7.18 në vitin 2021. Të dhënat e fundit zyrtare kanë treguar se Kina mund të përballet me krizë demografike, çka më pas do të ndikonte në uljen e numrit të punëtorëve dhe rritjen e presionit në sektorin e kujdesit shëndetësor.
Disa ekspertë i thanë BBC-së se presin që numri i popullsisë në Kinë të vazhdojë të ulet këtë vit. Edhe të tjera shtete të Azisë Qendrore si Japonia e Koreja e Jugut u përballën me të njëjtën tendencë.

Nëntorin e kaluar, Organizata e Kombeve të Bashkuara, OKB njoftoi se “popullsia e botës ka arritur në 8 miliardë, vetëm 11 vjet pasi kaloi 7-miliardëshin”. Pas një rritjeje të shpejtë në mes të shekullit 20, rritja e popullsisë po ngadalësohet. Mund të duhen 15 vjet për të arritur në 9 miliardë. Nuk presim që shifra prej 10 miliardë banorësh të arrihet deri në vitin 2080.

Vështirë të llogaritet me saktësi numri i njerëzve në botë. OKB-ja pranon se të dhënat e saj mund të mos jenë të sakta për një ose dy vjet. 12 vitet e fundit, rritja më e madhe e popullsisë është shënuar në vendet me të ardhura mesatare, kryesisht në Azi. Ato janë shtuar me rreth 700 milion njerëz që nga 2011-ta.