Bota

Bjellorusia në zgjedhje politike, opozita bojkotoi/Lukashenko: Vitin tjetër garoj sërish për president!

Bjellorusia po zhvillon zgjedhjet parlamentare dukshëm të kontrolluara dhe nën masa të larta sigurie në qendrat e votimit. Opozita bëri thirrje që të bojkotohen. Votimet pritet të përforcojnë pozitën e liderit autoritar Alyaksandr Lukashenko.

Vetëm katër parti që mbështesin politikat e Lukashenkus u lejuan të regjistrohen zyrtarisht për të garuar: Belaya Rus, Partia Komuniste, Partia Liberal-Demokrate, si dhe Partia e Punës dhe e Drejtësisë. Rreth dhjetëra forcave të tjera politike, nuk iu pranua kërkesa për t’u regjistruar vitin e kaluar.

Liderja opozitare bjelloruse, Svyatlanta Tsikhanouskaya, e cila tha se iu vodh fitorja kundër Lukashenkos në zgjedhjet e vitit 2020, i ka përshkruar këto zgjedhje si “farsë” dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e tyre. Nga Lituania ku qëndron për t’i shpëtuar arrestimit, u shpreh:

Në fletëvotime, nuk ka njerëz që do të ofronin ndryshime të vërteta sepse regjimi ka lejuar vetëm kukullat e përshtatshme për të.

Hera e parë që mbahen zgjedhjet e politike në Bjellorusi që prej presidencialeve të 2020-ës kur Lukashenko mori mandatin e gjashtë. Më shumë se 35 mijë persona ishin arrestuar gjatë protestave masive disamujore, të nxitura nga zgjedhjet e kundërshtuara.

Pasi votoi, Lukashenko iu tha gazetarëve se sërish do të garojë për president në vitin 2025.

Tregojini atyre (opozitës) se do të garoj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bjellorusisë (KQZ) njoftoi për një numër rekord të votimit të hershëm, që nisi më 20 shkurt.

Gati 48% e votuesve të regjistruar kanë votuar deri më 24 shkurt.

Nga vëzhguesit, votimi i hershëm cilësohet si mekanizmin i përdorur nga autoritetet bjelloruse për të falsifikuar zgjedhjet. Opozita bjelloruse ka thënë se procesi i votimit të hershëm mundëson manipulimin e zgjedhjeve pati kutitë nuk janë të mbrojtura për një periudhë pesëditore.

Viasna, Qendra për të Drejtat e Njeriut raportoi se shumë votues u detyruan të votonin herët, përfshirë studentët, ushtarët, mësuesit e të tjerë punonjës të administratës.

Autoritetet po i përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për ta arritur rezultatin që u nevojitet, që nga transmetimi i propagandës televizive dhe deri te detyrimi i votuesve për ta hedhur votën më herët. Gjatë votimit ka ndalime, arrestime dhe kontrolle.

Autoritetet bjelloruse e kanë forcuar sigurinë në rrugë e në qendra të votimit në gjithë vendin, ndërsa policia ka kryer stërvitje si të përballet me votuesit të cilët mund të tentojnë të shkelin rregullat kufizuese të vendosura për zgjedhje.

Për herë të parë, perdet janë hequr nga vendet e votimit dhe votuesve iu ndalohet fotografimi i fletëvotimeve, praktikë e nxitur nga aktivistët në zgjedhjet e kaluara, në përpjekje për të frenuar manipulimin gjatë numërimit të votave.

Pa prova, Lukashenko ka pretenduar se vendet e Perëndimit po shqyrtojnë mënyrat si të kryejnë një puç dhe urdhëroi policinë t’i shpeshtojë patrullimet e armatosura në vend, që të sigurohet “rendi dhe ligji”.

Për herë të parë, vëzhguesit e zgjedhjeve nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) nuk u lejuan t’i ndjekin zgjedhjet në Bjellorusi, vend anëtar i OSBE-së.

Pas votimit, Bjellorusia pritet të formojë një parlamemt me 1 mijë e 200 vende, me pushtet të gjerë për të emëruar gjykatës e zyrtarë zgjedhorë, si dhe për të shqyrtuar ndryshime në Kushtetutë. Qendrat e votimit u hapën në orën 08:00 me atë lokale dhe do të mbyllen më 20:00.