Bota

Bjellorusi, presidenti Lukashenko ngre kurth me pasaporta për kundërshtarët!

Alyaksandr Lukashenko, lideri de facto i Bjellorusisë është duke i përgatitur një kurth atyre që ikin jashtë vendit për t’i shpëtuar sundimit të tij shtypës. Ambasadat bjelloruse nuk do të lëshojnë më e as nuk do t’ua vazhdojnë pasaportat shtetasve të Bjellorusisë që jetojnë jashtë vendit, sipas një dekreti të ri të publikuar nga Lukashenko më 4 shtator. Nëse iu nevojitet një dokument, bjellorusët do të detyrohen të kthehen në atdhe për ta marrë.

Kritikët druhen se forcat e sigurisë së Bjellorusisë do të jenë duke pritur në rast kthimi. Besohet se rreth 200 mijë deri në 300 mijë bjellorusë e kanë braktisur vendin që nga gushti i vitit 2020, kohë kur Lukashenko u emërua president për mandatin e gjashtë 5-vjeçar në krye të shtetit, pas zgjedhjeve të cilat u dënuan nga shumë persona, si të montuara.

Madje, zgjedhjet nxitën një valë protestash të cilat u shtypën nga forcat e sigurisë së Lukashenkos. Qindra njerëz u arrestuan, shumë prej tyre u torturuan dhe disa vdiqën gjatë shtypjes. Liderët opozitarë u arrestuan, shumë prej tyre u burgosën e të tjerë ikën.

Perëndimi nuk ka pranuar ta njohë Lukashenkon si president të ligjshëm të Bjellorusisë. Grupi bjellorus për të drejtat e njeriut, Vyasna thotë se më shumë se 1 mijë e 500 njerëz po mbahen në qeli në Bjellorusi, si të burgosur politikë.

Liderja opozitare, Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila iku në Lituani pasi e sfidoi dhe sipas shumë njerëzve, e mposhti Lukashenkon në zgjedhjet e 2020-ës, i paralajmëroi bjellorusët duke folur për Associated Press më 4 shtator. Ajo u shpreh:

Edhe nëse pasaportës suaj i skadon afati, ju nuk duhet të ktheheni në atdhe nëse rrezikoheni nga përndjekja!

Kundërshtarët dhe aktivistët thonë se këto masa të reja janë përshpejtim i përpjekjeve të regjimit të Lukashenkos për arrestimin e kundërshtarëve. Ndalimi i bjellorusëve, të cilët kanë jetuar jashtë vendit dhe janë kthyer në atdhe është rritur këtë vit.