Bota

115 viktima nga sulmi në Moskë/Rusia dyshon se terroristët kishin kontakte me Kievin!

Vazhdon që të rritet bilanci i viktimave të sulmit në Moskë, përgjegjësinë e të cilit e mori Shteti Islamik. Konfirmohen 115 të vrarë, mes tyre tre fëmijë. Sipas autoriteteve ruse të sigurisë, u arrestuan 11 të dyshuar me pasaporta taxhike dhe se katërshja e përfshirë direkt në masakër po tentonte largimin për në Ukrainë, shtet ku “kishin kontakte”, referuar burimeve ruse. Kjo është një hipotezë e minutave të fundit teksa më parë, Ukraina mohoi kategorikisht çdo përfshirje të mundshme.

Këshilltari i presidentit Volodymyr Zelensky, Mykhaylo Podolyak, tha se Ukraina, tashmë prej dy vitesh lufton kundër pushtimit rus, por kurrë nuk ka përdorur metoda terroriste. Në një mesazh në platformën X, theksoi:

Ukraina sigurisht që nuk ka asnjë lidhje me të shtënat/shpërthimet në sallën Crocus City (Rajoni i Moskës, Rusi).

Në një sallë koncertesh, mbrëmë terroristët hapën zjarr në mënyrë të pamëshirshme e tentuan largimin me një makinë Renault të bardhë. Hetimet vazhdojnë e të shumta janë pyetjet që kërkojnë përgjigje. Ndërkaq, bilanci i viktimave mund të thellohet pasi ka të plagosur në gjendje tejet kritike për jetën. Në total janë raportuar mbi 140 të lënduar.

Për këtë ngjarje në zhvillim, raportohet edhe se presidenti Vladimir Putin pati një bisedë telefonike me homologun bjellorus, Alexander Lukashenko, i njohur si aleat i tij dhe sipas burimeve zyrtare të Kremlinit u diskutua sulmi terrorist në Crocus City Hall. Zëdhënësi Dmitry Peskov foli për agjencinë Ria Novosti dhe u shpreh:

Presidenti i Bjellorusisë, Lukashenko shprehu ngushëllime të thella lidhur me sulmin terrorist në kryeqytetin rus. Palët shprehën gatishmërinë që të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit.

Ndërkaq, janë me qindra shtetas rusë që po presin në radhë para strukturave spitalore, të gatshëm për të dhuruar gjak për të plagosurit pasi nevojat për donacione janë të mëdha. Po ashtu, qytetarë të shumtë rusë po bëjnë homazhe duke vendosur lule në nderim të viktimave të masakrës tronditëse në periferinë perëndimore të kryeqytetit të Rusisë.

Terroristët e ISIS-it nuk u mjaftuan vetëm me armët e zjarrit, pasi para se të largoheshin, ata hodhën granata e lëndë djegëse duke i vënë flakën sallës së koncerteve të Crocus City Hall në Krasnogorsk. Objekti u dogj në kohë rekord.