Bota

Blinken: Asnjë shenjë se Putin interesohet për bisedime mbi Ukrainën!

Uashingtoni zyrtar nuk po sheh shenja se Moska është e interesuar për bisedime me qëllim përfundimin e luftës në Ukrainë. Kjo u theksua nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken duke folur për për CBS News.

Ka gjithmonë vlerë në diplomaci nëse palët në fjalë, në këtë rast Rusia, janë të interesuara vërtetë për diplomaci kuptimplotë. Dhe ajo që kemi parë, të paktën kohët e fundit, është pikërisht e kundërta. Presidenti rus Putin ka ndërruar taktikë pasi pësoi humbje në fushëbetejë. Zemërimin e tij, shefi i Kremlinit tani po e kthen mbi infrastrukturën energjetike dhe civilët në Ukrainë.

Më herët, zv.sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland, akuzoi Vladimir Putinin se nuk është i sinqertë lidhur me mundësinë për bisedimet e paqes me Ukrainën në këtë kohë. Diplomatja e lartë e Uashingtonit vizitoi Ukrainën për të shprehur mbështetje teksa me sulme të vazhdueshme, Rusia po përpiqet të shkatërrojë infrastrukturën energjetike të vendit.

Në javët e fundit, fokusi ushtarak i Rusisë ka qenë në goditjen e infrastrukturës ukrainase në mbarë vendin, duke shtyrë ofensivën në qytetin Bahmut të rajonit Donjeck. Po ashtu, nuk ndalen bombardimet në Kherson, qytet të cilin forcat e Kievit e çliruan muajin e kaluar.

Në fillim të këtij muaji, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ishte i gatshëm të bisedonte me Putinin, nëse lideri rus tregonte me vepra se seriozisht dëshironte t’i jepte fund pushtimit. Kjo ishte e para deklaratë e këtij lloji e shefit të Shtëpisë së Bardhë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt të këtij viti.

Vladimir Putin refuzon fjalën luftë dhe atë që po ndodh e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi u vendos në anën e Ukrainës dhe u përgjigj ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Moska nuk qëndroi indiferente, por mori masa për të frenuar e pakësuar furnizimet me gaz. Si pasojë e luftës në Ukrainë kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.