Bota

Blinken: “Ndihmat për Gazan, jo në duart e Hamasit!”

Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha sot në Jerusalem se Uashingtoni do të angazhohet për të adresuar situatën e rëndë humanitare në Gaza, por duke u siguruar që ndihmat të mos bien në duart e lëvizjes Hamas, që udhëheq qytetin. Pas takimit me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, Blinken u zotua se do të kërkojë mbështetje ndërkombëtare për të ndihmuar Gazën.

Netanyahu paralajmëroi se përgjigjja e Izraelit do të jetë “shumë e fuqishme” nëse Hamasi shkel armëpushimin e arritur javën e kaluar që i dha fund luftimeve 11 ditore mes forcave izraelite dhe militantëve palestinezë. Autoritetet izraelite po lejojnë furnizimin e Gazës me ilaçe dhe ushqime. Nga luftimet më të ashpra në vitet e fundit mes Izraelit dhe palestinezëve janë vrarë më shumë se 250 persona, kryesisht palestinezë.

Para nisjes së Sekretarit Blinken në rajon, presidenti Biden tha se ai do të përsërisë angazhimin e fortë të Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Izraelit e do të vazhdojë përpjekjet për të rindërtuar lidhjet dhe mbështetjen për popullin palestinez e udhëheqësit e tij.

Blinken synon që akordi i arritur të ruhet e të mos ketë më sulme me raketa nga grupi që Amerika dhe BE-ja e cilësojnë “terrorist”. Hamasi kontrollon Gazan ku u vranë 248 persona mes tyre 66 fëmijë, si dhe u plagosën 1.900. Në Izrael u shënuan 13 viktima, përfshirë dy fëmijë.

Kryediplomati i Uashingtonit nuk do të takojë përfaqësues të Hamasit por kreun e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas në Bregun Perëndimor. Në vijim të turit rajonal do të ndalet edhe në Egjipt e Jordani.