Aktualitet

Bllokohen një varkë e dy skafe në vend, njëri i vjedhur në Australi!

Vazhdojnë kontrollet e Policisë Kufitare, në Sarandë, Durrës e Shkodër bllokohen një varkë plastike dhe dy skafe, njëri prej tyre i vjedhur në Australi. Për drejtuesin 41-vjeçar nisi hetimi në gjendje të lirë për “Trafikim të mjeteve motorike”.  Ndërkaq, skafi tjetër u bllokua në liqenin e Shkodrës pasi drejtuesi nuk kishte dokumentacionin e nevojshëm dhe u gjobit. Sa i përket varkës plastike, u kap në shkelje dokumentash te “Hunda e Marinës” në Sarandë. Në të dy rastet u vunë gjoba nga 10 mijë dhe 110 mijë lekë.

Në vendin e quajtur “Hunda e Marinës”, Sarandë, u bllokua një varkë plastike pasi drejtuesi i saj nuk kishte certifikatën për ushtrimin e veprimtarisë si operator ekonomik në fushën e turizmit, si dhe nuk kishte në bord dokumentet e nevojshme për daljen në det. Për këto shkelje, drejtuesi i këtij mjeti, u ndëshkua me dy gjoba, me vlerë totale 110 000 lekë të rinj.

Në portin e Durrësit, si rezultat i veprimeve verifikuese të kryera në bashkëpunim me homologët gjermanë, u bllokua mjeti lundrues skaf, me drejtues  F.L, 41 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se është vjedhur në Australi. Për 41-vjeçarin u referuan materialet në Prokurori ku nisi hetimi në gjendje të lirë për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Në liqenin e Shkodrës, u bllokua një skaf, pasi drejtuesi i tij nuk kishte në bord dokumentet e nevojshme për daljen në det. Për këtë shkelje, drejtuesi u ndëshkua me masë administrative 10.000 lekë të rinj.

Vijojnë kontrollet në zbatim të detyrave të caktuara në planin e masave për garantimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik, si dhe të porosive të posaçme që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, iu ka lënë shërbimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, për vigjilencë të shtuar dhe për prani të pandërprerë në qytetet dhe në vijën bregdetare, me qëllim sigurimin e rendit dhe zbatimit të ligjit për qytetarët dhe pushuesit, si dhe për parandalimin e krimeve që kryhen përmes detit. Nga këto kontrolle, janë bllokuar 3 mjete të tjera lundruese që janë konstatuar duke lundruar në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e lundrimit.