Bota

Boris Johnson sërish dhëndër!

Boris Johnson martohet në superfshehtësi!

Kryeministri konservator i Britanisë së Madhe është martuar dje për herë të tretë duke lidhur kurorë me 33-vjeçaren Carrie Symonds. Një zëdhënës i Downing Street e konfirmoi e shtoi se festa e madhe do të jetë në verë por pa saktësuar datë.

56-vjeçari Johnson i cili në më pak se një muaj do të mbushë 57-vjeç i tha “PO” bashkëshortes së tretë në Katedralen e Westminster-it. Kjo ndodhi në prani të një rrethi shumë të ngushtë familjarësh e disa miqve të çiftit, prindër të një djali 1-vjeçar me emrin Wilfred Lawrie Nicholas Johnson. Disa muzikantë u fotografuan në përfundim të një eventi të zhvilluar në mbrëmje për të festuar.

Sipas mediave britanike, njoftimi për pjesëmarrësit u bë në momentet e fundit. Ceremoninë e drejtoi prifti Daniel Humphreys, i cili vitin e kaluar pagëzoi vogëlushin Wilfred.

Lidhur me ceremoninë martesore nuk ka shumë detaje veç faktit që Symonds zbriti nga një limuzinë e bardhë. Ajo është vajza e Matthew Symonds, bashkë-themelues i gazetës “The Independent”. 33-vjeçarja dhe shefi i qeverisë së Londrës nisën bashkëjetesën në 2019-ën.

Në shtator të 2018-ës, Johnson dhe ish-bashkëshortja Marina Wheeler njoftuan ndarjen. Divorci i tyre u finalizua nëntorin e kaluar. Me Wheeler, Boris ka dy vajza dhe dy djem.

Carrie Symonds punon prej 2009-ës për Partinë Konservatore e në 2012-ën ka qenë pjesë e fushatës së Johnson-it për t’u rizgjedhur kryebashkiak i Londrës.

Në rreth 200 vjet, Boris Johnson është kryeministri i parë në detyrë që martohet.